Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar dëshmia e dëshmitarit të dytë në rastin e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucati.
Si dëshmitar i dytë është gazetari nga Kosova, Halil Berisha, i cili kishte marrë pjesë në konferencën e ftuar të OVL-UÇK-së, ku ishin paraqitur dokumentet që kishte sjellë një i panjohur në zyrat e tyre.
Para se të niste dëshminë e tij, gazetari Berisha ka thënë se nuk është fare i lumtur që gjendet në Hagë dhe se ishte obliguar të vinte si dëshmitar.
“Unë veç desha të them që nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para juve. Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën. Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obligu. Por përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, tha ai.
Më pas në seancë ai është pyetur në lidhje me konferencën e mbajtur nga Gucati dhe Haradinaj, pasi në zyrat e tyre kishin arritur dokumente, që cilësohen konfidenciale nga Gjykata Speciale. /Zëri