Në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve të Gjilanit, të rënë në luftën për lirinë e Kosovës, Komuna e Gjilanit dhe përfaqësues institucioneve lokale, kanë bërë sot homazhe në Memorialin e Dëshmorëve, që 17 shtatori këtë vit shënon 19 vjetorin e rivarrimit të dëshmorëve të lirisë.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi – Emini, që shoqërohej nga nënkryetari Arbër Ismajli, drejtorët e drejtorive komunale, këshilltarët komunal, në fjalën e saj pasi ka bërë homazheve, ka thënë se ishin pikërisht dëshmorët ata të cilët janë themeli i fuqishëm i lirisë sonë dhe njëkohësisht janë krenari e përjetshme për të gjithë ne të gjallët.
“Dëshmorët kanë dhënë jetën që ne sot të gëzojmë lirinë. Ata janë të pavdekshëm, sepse vepra e tyre do të jetojë gjithmonë e nuk do të shuhet kurrë. Gjilani ka një mburojë të fuqishme edhe sot, sepse ata janë vazhdimisht mbrojtësit e lirisë sonë, garantuesit e paqes dhe energjia e zhvillimit të këtij vendi. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për liri”, ka thënë kryesuesja, Kurteshi –Emini.
Për ndryshe, pikërisht më 17 shtator 1999, me një ceremoni zyrtare në lirinë e Kosovës dhe me pjesëmarrje të përgjithshme, është bërë rivarrimi i dëshmorëve. Memoriali i Dëshmorëve ka të varrosur 55 dëshmorë, të rënë në luftën për liri në vitin ’98-’99.