Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë Qeverinë e re, pasi që në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të diele, ku e vetmja pikë e rendit të ditës ishte krijimi i qeverisë, “Kurti 3” mori vetëm 56 vota për, 52 deputetë votuan kundër dhe katër të tjerë abstenuan.
Kreu i Kuvendit, Dimal Basha, në mbyllje të seancës u shpreh se përgjegjësia tani kalon te Presidentja Vjosa Osmani.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidentja duhet të emërojë një mandatar të dytë brenda dhjetë ditësh, i cili ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë.
Megjithatë, Presidentja Vjosa Osmani do të ftojë partitë politike për konsultime brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.
Këtë e bëri të ditur për Insajderin, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani do t’i ftoj partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, deklaroi ai.
Kujtojmë se krerët e partive opozitare PDK, LDK, AAK dhe NISMA, si gjatë seancës, ashtu edhe pas përfundimit të saj, deklaruan se nuk do të bëjnë shumicën dhe se vendi duhet të përgatitet për zgjedhje.
Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.










