Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur seancën konstituive të Legjislaturës së Nëntë, në përputhje me vendimin e presidentes Vjosa Osmani.
Seanca u hap dhe u drejtua nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në sallë ishin të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë.
Në fjalën e tij hyrëse, Dehari uroi deputetët për fillimin e mandatit të ri, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të qytetarëve në institucionin më të lartë legjislativ të vendit.
Ai gjithashtu përshëndeti ambasadorët dhe mysafirët e pranishëm, përpara se të procedonte me rendin e ditës.
Gjatë seancës u propozuan anëtarët për Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Çdo subjekt politik propozoi nga një përfaqësues, dhe propozimi mori mbështetjen e Kuvendit.
Pas mbledhjes së këtij komisioni, deputeti Artan Abrashi paraqiti raportin përfundimtar, duke theksuar se ai ishte miratuar me shumicë votash brenda komisionit.
Megjithatë, gjatë votimit në Kuvend, raporti nuk mori mbështetjen e nevojshme për miratim. Vetëm 52 deputetë votuan pro, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan.
Për shkak të mosmiratimit të raportit dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, kryesuesi Dehari vendosi të ndërpresë seancën, duke njoftuar se Presidentja do të informohet për hapat e mëtejshëm.
Seanca u mbyll pa arritur konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme në këtë proces.