Ramush Haradinaj e tha me gojën e vet se rroga e një kryeministri prej 1300 euro, do ta detyronte atë ose të vjedhë, ose ta mashtrojë popullit. Mbi këtë bazë, kryeministri Haradinaj e arsyetoi dyfishimin e pagës së tij, të ministrave dhe të zëvendësministrave. Qeveria e pezulloi këtë vendim deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por çfarë do të ndodhë përgjatë kësaj kohe, a do të vjedhë kryeministri?
Ai e mori këtë vendim, duke mos besuar se do të haste në kundërshtim të fortë. Agjencia Kundër Korrupsionit e konstatoi si të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar.
Kjo Agjenci, në opinionin e saj, ka thënë se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’, dispozitat e caktuara që rregullojnë ‘Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë’, si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë ‘Parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit të lartë publik”.
Kjo nuk i pëlqeu kryeministrit, i cili reagoi në llogarinë e tij në Facebook, duke e quajtur si vendim politik.
Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin”, ka shkruar Haradinaj.
Sapo tha se nuk do ta respektojë vendimin e AKK-së, kryeministrit i doli një telashe tjetër. Një kundërshtim tjetër për vendimin e rritjes së pagave i erdhi nga brenda kabinetit. U raportuar se ishte ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili e kishte kundërshtuar zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar se pagat e këtij muaji për Qeverinë do të dalin pa rritje.