Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme të Kuvendit, nuk e ka miratuar rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.
Kjo rezolutë ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Për këtë rezolutë kanë votuar 29 deputetë, asnjë nuk ka votuar kundër, ndërkohë që 55 kanë abstenuar.
Rezoluta do të obligonte Qeverinë për të marrë masa, veprime e vendime për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.
Shumë qytetarë janë ankuar lidhur me faturat e energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor e në janar të këtij viti.
Dimrat e fundit në Kosovë janë përcjellë me furnizim të çrregullt të energjisë elektrike, shtrenjtim të rrymës dhe thirrje nga Qeveria e Kosovës për kursim.
Në prill të këtij viti, çmimi është rritur sërish – për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.