Plani ishte organizuar që nga data 9 janar. Jeton e Nexhat Vllasaliu, duke e shfrytëzuar afërsinë e tyre me biznesmenin Bedri Rexhepi, e vunë në lajthitje atë për ta vrarë përfundimisht me datën 8 prill 2021. Rexhepi më pas u varros në një zonë të fshehur në Novobërdë dhe për gati dy vjet figuronte si i zhdukur. Në aktakuzën e Prokurorisë jepen detaje se si krimi ishte kryer për 30 mijë euro. Gazeta Nacionale e ka siguruar aktakuzën e plotë dhe sjell detaje.
Misteri gati 2-vjeçar i zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi e preku fundin. Trupi i tij u gjet në një zonë në Novobërdë. Prokuroria po akuzon dy persona për vrasjen e Rexhepit: Jeton e Nexhat Vllasaliun.
Gazeta Nacionale e ka siguruar aktakuzën e plotë. Aty specifikohet se plani për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi ishte organizuar që nga data 9 janar 2021. Dy të dyshuarit, sipas aktakuzës, e kishin shfrytëzuar afërsinë me Rexhepin.
Biznesmenit Rexhepi i ishin ofruar dy vetura me një çmim të volitshëm. E me datën 8 prill 2021, duke menduar se Rexhepi i kishte 30 mijë eurot me vete, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në Novobërdë, ku e kishte vrarë duke e ngulfatur.
“Prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu, në bashkëkryerje, pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta me qëllim të fitimit të dobisë pasurore të dëmtuarin Bedri Rexhepi. Ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet, dhe Jeton Vllasaliu, duke e shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/ndjeri Bedri Rexhepi e kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të dëmtuarin Bedri Rexhepi. Duke filluar nga data 9 janar 2021, ku i kishte ofruar për shitje dy vetura: një Range Rover dhe një BMW X3, për vlerën prej 30 mijë eurosh”
“Gjatë realizimit të planit të tyre, i pandehuri Jeton, më 08 prill 2021, të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht e kishin planifikuar vrasjen e tij. I pandehuri Jeton, pastaj, në mënyrë tinëzare, duke e ngulfatur, e privon nga jeta Bedri Rexhepin, duke menduar se e ka me vete shumicën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mjië eurove, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave. Mirëpo, pas vrasjes, te viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë eurosh, që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu”, thuhet në aktakuzën që e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale.
Pas vrasjes së tij, dy vëllezërit Vllasaliu, gjithnjë sipas Prokuroisë, e kishin vazhduar planin për fshehjen e trupit.
“Pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe, në pamundësi për ta varrosur, e kishte mbështjellë kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehuir Nexhat, dhe e kishte lidhur me një litar. Pastaj, veturën e të ndjerit Bedri Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushisë-Janjevë. Nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë veturën e tipit, mu në rrugën që dërgon te vendi ku e kishte lënë automjetin”, thuhet në aktakuzë.
“Në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humbë gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët. Të nesërmen, herët në mëngjes, më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në Vllasali, te vendi ku ishte kufoma, dhe në bashkëkryerje e dërgojnë në vendin kodrinor malor të quajtur “Mali i Madh” në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më datë 30 shtator, kur janë gjetur mbetjet mortore që me besueshmëri janë të të dëmtuarit Bedri Rexhepi”, përfundon pjesa kryesore e aktakuzës.
Detaje të ngjashme janë ofruar edhe në pjesën e fundit të aktakuzës, pas dëgjimit të gati 30 dëshmitarëve. I ndjeri dhe shoku i tij deri në momentin e krimit, Bedri Rexhepi e Jeton Vllasaliu, ditën e kobshme kishin planifikuar të shkojnë në Ferizaj për t’i marrë veturat që kishte planifikuar t’i blinte i ndjeri.
Megjithatë, i akuzuari Jeton Vllasaliu e devijon rrugën dhe e dërgon të ndjerin në Novobërdë, ku edhe ia merr jetën.
“Nga provat e siguruara është vërtetuar fakti se të pandehurit Jeton e Nexhat Vllasaliu kanë kryer veprën vrasje e rëndë, e kanë kryer në bashkëkryerje duke i ndarë punët – veprimet e tyre. Të njëjtit me marrëveshje paraprake kanë planifikuar dhe organizuar mënyrën se si do ta joshin ashtu edhe që me datë 09.01.2021 i ofrojnë me çmim shumë të volitshëm dy automjete të tipit Range Rover ashtu edhe X3 në çmim prej 30 mijë eurosh, të pyesin të ndjerin Bedri Rexhepi dhe të sigurohen se i ka paratë në vlerë 30 mijë euro, të devijojnë rrugën duke mos shkuar në Ferizaj, por ta dërgojnë në një vend të sigurt dhe ku e njohin terrenin, siç është shtëpia e tyre në Vllasali”, thuhet në aktakuzë.
Plani, sipas Prokurorisë, ishte në detaje i organizuar. Të akuzuarit madje kishin diskutuar se si do të përgjigjeshin para hetuesve, pasi e dinin se do të kontaktoheshin.
“Ku edhe me datë 8 prill paradite, takohen në shtëpinë e tyre në Vllasali dhe sigurohen se nuk ka shumë njerëz dhe frekuentimin e tyre në ditë pune – ditë e enjte, dhe një vend ku më pas mund të zhdukin provat inkriminuese dhe trupin e të dëmtuarit Bedri Rexhepi, veprimi i dërgimit të automjetit në fshatin Sushicë, pra me kilometra larg vendit ku kryhet vrasja e rëndë. Koordinimi që Nexhati të dalë e ta marrë Jetonin për ta kthyer në shtëpi si dhe shkuarja e nesërme herët në mëngjes, pa u zbardhur dita, që ta varrosin kufomën e të ndjerit në një vend ku nuk është i paraparë për varreza dhe rrallë i frekuentueshëm edhe nga vetë banorët e fshatit Vllasali. Krijimi i një tregimi të përbashkët që në rast të marrjes në pyetje nga organet e drejtësisë, ta kenë versionin e njëjtë për t’i krijuar alibi njëri-tjetrit”, përfundon aktakuza e siguruar nga Nacionale.
Hetimet në terren
Më datë 28 shtator 2022, Prokuroria dhe hetuesia i kishin zhvendosur në vendin e dyshuar Jeton e Nexhat Vllasaliun. Prokuroria në aktakuzë e ka zbardhur bisedën e tyre për gjetjen e trupit.
“A o larg”, i drejtohet Jeton Vllasaliu vëllait të tij. “Jo bre, qaty, kah ti din, unë nuk di”, ia kthen Nexhati.
Jeton Vllasaliu: “A e din ku u met perdja, a është larg qasaj perdes?”
Nexhat Vllasaliu: “Jo bre, 50-60 metra me kqyrë, herë anena, herë…, kqyr, se krytë po më dhem.”
Jeton Vllasaliu: “Hajde edhe ti poshtë, e lypmi edhe një herë avokatin, me avokat diqysh… [pastaj vazhdon me zë të vogël]. Qaty osht. Kqyr, kujtohu!”
Nexhat Vllasaliu: “O vllau jem, me ditën ku është, e kisha gjetë. Qaty osht, kqyr, kujtohu!”
Jeton Vllasaliu: “O s’pe di ku e kom lanë, se me mujt me ditë ku e kom lanë, unë dy llafe nuk i boj.”
Nexhat Vllasaliu: “Spo di a jam hi udhës së madhe a udhës së hollë.”
Jeton Vllasaliu: “A ki najsen në trup a? Jo”
Jeton Vllasaliu: Spo di, Nuxh. Po të kallëzoj drejt, veç ty të liroj prej kësaj pune edhe gruen tane, çka koft, hajl i koftë! Hajde!”
Këto biseda ishin bërë përderisa të dy ishin në zonën ku dyshohej se ishte trupi.
Gazeta Nacionale i ka siguruar edhe deklaratat e dy të akuzuarve para Prokurorisë dhe të gjithë dëshmitarëve. Këto do të publikohen më vonë gjatë ditës, sot, në një artikull të veçantë.
Bedri Rexhepi ishte zhdukur më 8 prill 2021. Trupi i tij u gjet në fundin e shtatorit të këtij viti, pas një pune të madhe nga prokurori i rastit, Armend Hamiti./Nacionale