Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka prezantuar Projektligjin për Trustin në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Haxhiu, ka thënë se ky projektligj i plotëson kushtet dhe u është dërguar për mendim Qeverisë dhe i është shpërndarë deputetëve.
“Në emër të GP të PDK-së në cilësinë e propozuesit të Projketligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, ne kemi propozuar Projektligjin për Trustin. Ky projektligj është dërguar për mendim në qeveri dhe u është shpërndarë deputetëve. Të nderuar anëtarë qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me krizë ekonomike andaj kemi iniciuar ndryshimin e Ligjit për Trustin që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja nga 10 deri në 30 përqind”, ka thënë Haxhiu.
“Në nenin 1, saktësohet qëllimi, ky ligj u krijon pjesëmarrëseve të Trusit tërheqja nga 10 deri në 30 për qind. Në nenin 12a, pjesëmarrësit mund të tërheqin 10 deri në 30% sipas përshkrimit në vijim: Personat që kanë më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri në 30% të të hyrave. Personat që kanë kursime pensionale nga 10 mijë deri në 19 mijë e 999 euro kanë të drejt të tërheqin 25% kurse ata që kanë nga 30 mijë deri në 39 mijë e 999 euro, kanë të drejtë të tërheqin deri 20%”, tha Haxhiu.
Paraprakisht, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar që të ndryshohet rendi i ditës në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe që ndryshimi i Ligjit për Fondin Pensional të kalojë për shqyrtim nga pika e tetë e rendit të ditës në të dytën.
Megjithatë Komisioni nuk e ka miratuar kërkesën.