Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që të propozojë ndryshim-plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Sipas kësaj dhome disa ditë të festave në Kosovës, siç është Dita e Evropës, të mos festohen sepse po dëmtohet vendi në aspektin financiar.
Të veprojmë ashtu siç vepron çdo vend evropian”, konsideron DHTIK.
Praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, sipas kësaj dhome, duhet të ndryshohen.
“Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit kur ditët e festive zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër:, thuhet në reagimin e DHTIK.
Po ashtu ky asociacion ekonomik kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi.
“Gjithashtu DHTIK kërkon që të festohen por mos të jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji Dita e Evropës”.
DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.
“DHTIK, mbet me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në reagimin e kësaj dhome.