Kosova dhe SHBA-ja po shkojnë drejt finalizimit të Dialogut Strategjik. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se procesi synon të forcojë bashkëpunimin afatgjatë në fusha si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe tregtia e lirë. Dialogu Strategjik do të thellojë marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së.
Dialogu Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.
Kështu deklaroi shefja e shtetit, Vjosa Osmani, të premten pasi mori lajmin që e quajti të shkëlqyeshëm, nga zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Richard Verma, se Kosova dhe SHBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj thotë se dialogu strategjik synon që të paraqes një koordinim dhe bashkëpunim strategjik afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, i cili bazohet në disa shtylla kryesore.
“Në vija të gjata ky dialog do të shtrihet fillimisht mbi bazën e disa vlerave. E në këto vlera bëjnë pjesë sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave të pakicave, pastaj tregtia e lirë e të tjera”, tha Rrecaj për RTK-në.
E në aspektin politik, sipas Rrecajt, kjo ka të bëjë me “zhvillimin e demokracisë liberale, zgjedhjet e lira, luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, respektimin e vendimeve të gjykatave, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe respektimin e atyre vlerave fundamentale të cilat edhe realisht reflektohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Rrecaj shton se ky konfirmim nga SHBA-ja do të ndihmojë në përafrimin e mëtutjeshëm të Kosovës me SHBA-në.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë i kushtojnë rëndësi lidhjes ndërmjet popujve sesa nganjëherë eventualisht mund të ketë problematika të theksuara apo dinamika të caktuara me qeveritë përkatëse. Por, megjithatë gurthemeli kryesor ndërmjet Kosovës dhe Amerikës janë marrëdhëniet ndërmjet popujve”, shtoi ai.
Marrëveshja për Dialogun Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të finalizohet së shpejti.
Departamenti i Shtetit e zhvillon këtë proces me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale./RTK/