Ndonëse kanë të drejtë vote, diaspora kosovare kërkon që të ketë edhe përfaqësues të tyre brenda Kuvendit të Kosovës. “Ka përfaqësues të minoriteteve por jo vende të rezervuara për diasporë”, ka thënë Liza Gashi nga organizata Gremin.
“Qysh mundet mu me përfaqësu dikush kur nuk më lejohet me votu. E drejta e votës është por mekanizma nuk ka”, ka thënë tutje ajo. “A t’ua bëjmë edhe një yll në flamur?”, ironizoi Valon Syla me kërkesën e Gashit për përfaqësues në Kuvend të Kosovës.
Dimal Basha, gazetar dhe i kthyer nga ShBA-të, ka përmendur praktika nëpër botë ku kanë vende të rezervuara për diasporën.
“Diaspora te ne është shoqëri e përkëdhelur”
21:16 – “Diaspora te ne është shoqëri e përkëdhelur”, ka thënë gazetari Valon Syla në Rubikon të KTV-së. Pikëpamjet se diaspora po e mban gjallë Kosovën, sipas Sylës, nuk qëndrojnë.
“Ai të njëjtën sjellje që e bën atje nuk e bën edhe këtu. Ai jeton krejt vitin në Zvicër dhe nuk bën aksident, vjen këtu bën aksident… nuk na mban gjallë neve diaspora, mezi e mbanë veten gjallë”, ka thënë Syla.
Sipas tij, diaspora kosovare ka mbetur primitive në krahasim me zhvillimin që është bërë në Kosovë, 20 vjet pas luftës.
“Shembull është koncepti primitiv i jetës, martesa, shkollimi i ulët. Mendoj që në Prishtinë dhe Kosovë, brenda 20 viteve aq është zhvilluar ndërsa ata vijnë me një mentalitet që është primitiv dhe mundohen në njëfarë mënyrë me të imponu”, ka thënë ai.
“Nuk po flas për një diasporë si Rita Ora dhe të tjerë, po për një masë më të madhe, e cila vjen edhe ta përmend një kafe që ta paguan 70 cent”.
Mërgimtarët shpenzuan 1.1 miliard euro në Kosovë
Të ardhurat për Kosovën nga bashkatdhetarët katër muajt e parë të këtij viti tregojnë shifra për dhjetëra milionë euro në krahasim me vitin e kaluar. Vetëm në këtë katër mujor rritja e remitencave është për rreth 13.4 milionë më e madhe se vitin e kaluar.
Avdyl Lipoveci nga ministria e Diasporës në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka treguar se sipas statistikave të Bankës Qendrore konsiderohet se 1.1 miliard euro janë shpenzime të udhëtimeve që hyjnë në Kosovë.
“Mund të themi që 1.1 miliardë janë shpenzimet e udhëtimeve që hyjnë në Kosovë nga mërgimtarët, që vijnë në Kosovë në periudha të ndryshme gjatë vitit. BQK i ka publikuar të gjitha statistikat e veta për të cilat mund të themi që janë të përafërta dhe të gjitha këto janë në konsum”, ka thënë ai.
Shtetet kryesore prej nga vijnë këto remitenca janë kryesisht shtetet ku është e koncentruar diaspora si Gjermania e përcjellë nga Zvicra, SHBA-ja, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania dhe Belgjika.