Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar të hënën nga strukturat ilegale serbe, të cilat sipas tij, ia kanë djegur veturën me arsyetimin se e kishte regjistruar me targa legale të Kosovës.
Sveçla ka shkruar në Facebook se tendencat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për t’i frikësuar qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, po vazhdojnë.
“Tendencat e Vuçiç për të frikësuar qytetarët serb që jetojnë në Kosovë po vazhdojnë. Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës. Njejtë, sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij”, ka shkruar ai.
Ministri Sveçla më tej tha se kurrfarë veprimi kriminal i fallangave të Vuçiqit nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike.
“Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiqit që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës. Jemi më të vendosur se kurrë që rendi dhe ligji të shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Kurrfarë veprimi kriminal i fallangave të Vuçiqit nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike”, ka shkruar ai.
Qeveria e Kosovës u ka dhënë afat gjithë atyre që kanë vetura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia në emër të qyteteve të Kosovës, t’i ndërrojnë ato deri në fund të tetorit.