Ish-kongresisti amerikan, dhe kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joe DioGuardi, në një intervistë ekskluzive për “Interaktiv”, ka folur për atë se si e sheh Kosovën në dekadën e parë të shtetësisë së saj.
“Nëse flasim për politikën, fjala e vetme që më bie ndërmend është keq. Ju e dini çka do të thotë keq”, ka thenë DioGuardi, teksa ka shtuar se nuk po sheh zhvillimin e demokracisë.
Ai është shprehur akoma më shumë se kaq kritik për politikanët e Kosovës.
“Politikanët nuk arritën të bindnin Evropën që t’u japin shqiptarëve viza për të udhëtuar në Perëndim për të kërkuar punë”, ka thënë për KTV-në nga SHBA-të.
Njëri prej personave më të fuqishëm të lobit shqiptaro-amerikan, shpreh frikën se e gjithë ajo punë e mirë që kanë bërë sikur shkoi kot.
Sipas tij, Kosova, por edhe Shqipëria e kanë një problem si të Rusisë – oligarkinë.
“Njerëzit që janë në pushtet, po pasurohen e pasurohen, e njerëzit që thonë se i përkrahin zgjedhësit e tyre, po varfërohen”.
DioGuardi thotë se shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen.
“Ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, e jo te vetvetes dhe partisë”, ka thënë ai.
“Njerëzit duhet të thonë njëherë e përgjithmonë: nuk na duhet një lëvizje e tillë politike, sepse nuk na përfaqëson më. Ata përplasen edhe në Parlament, sikur të ishte ndonjë shtet afrikan. Po gjuajnë gaz lotsjellës, po e grushtojnë njëri-tjetrin. Për çka po bëhet kjo – luftë personalitetesh? Politika në Kosovë është ngushtuar në dy gjëra, me sa po shoh – personalitete dhe para, është koha për protestë mbarëkombëtare”, ka thënë më tej ai.
DioGuradi ka thënë gjithashtu se të gjithë e dinë këtu se populli më pro-amerikan në Evropë janë shqiptarët dhe ne nuk duam ta humbasim këtë. “Ata po paguajnë kompani të mëdha lobimi, Thaçi paguan qindra-mijëra në muaj, për të bërë një fotografi aty, një tjetër këtu. Edhe politikanët e tjerë e bëjnë të njëjtën. Pse? Për t’i mashtruar njerëzit? Ata nuk e kanë respektin që thonë se e kanë. Nuk e kanë atë lloj respekti që unë kam parë në të kaluarën për Kosovën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë t’i kenë ndihmuar Sali Berishës për të ardhur në pushtet, për t’u bërë president. Por thotë se nuk e dinte një gjë.
“Unë nuk e dija që Sali Berisha ishte i përzgjedhuri i komunistëve për të garuar”, ka thënë DioGuardi.
Kritika të forta ka pasur edhe për Ali Ahmetin e Maqedonisë, që sipas DioGuardit e la të vdesë Marrëveshjen e Ohrit.
Ka folur edhe për kontributin e tij në lirimin e Ramush Haradinajt nga Haga. Nga ky tash pret të shohë se çfarë reformash po ndërmerr për vendin.
“Ose ndoshta vetëm do të bëjë atë çfarë Hashim Thaçi dëshiron, ose dikush tjetër”, ka thënë ai.
Ka thënë se duhet të kthehet shpresa.
“Dëgjo, nuk dua të flas vetëm për gjëra të këqija. Lajmi i mirë është se në Amerikë keni gati 1 milion shqiptaro-amerikanë, shumë prej tyre nga Kosova”.