Sot ka nisur të implementohet nga autoritetet e Shqipërisë tarifa rrugore për shfrytëzuesit e “Rrugës së Kombit”. Ndonëse ishte paralajmëruar nga banorët e Kukësit një protestë prej orës 11.00, ajo nuk është mbajtur.
Në vendin ku ka filluar inkasimi i taksës rrugore kishte dalë Sylë Ukshini, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, i cili ka thënë se sot ka parë nga afër zhvillimet e fundit për implementimin e vendimit të autoriteteve shqiptare për taksën rrugore në “Rrugën e Kombit”.
Ai mendon se taksa rrugore për qytetarët e Kosovës, të cilët shfrytëzojnë këtë rrugë është e shtrenjtë.
I pyetur se a do të aplikojë edhe Kosova taksa rrugore për autostradën Morinë-Prishtinë, Ukshini tha se për momentin nuk ka ndonjë vendim.
Ndërsa, Spartak Tumani, drejtor i firmës koncesionale për taksa rrugore, ka thënë se në ditën e parë të vendosjes së taksës për autostradën nuk ka pasur incidente, për dallim nga hera e kaluar kur banorët i kishin vënë flakën kabinave për pagesë.
Ndryshe, nga dita e sotme nisën pagesat për kalimin në Rrugën e Kombit, ku për qytetarët e Kukësit është caktuar një tarifë e reduktuar.
Tarifa për kalimin e automjeteve në autostradën Milot –Morinë do të jetë 660 lekë ose 5 euro. Për banorët qarkut Kukës kjo tarifë është e reduktuar në 100 lekë me TVSH.