Në një ceremoni solemne dhe me pjesëmarrje të gjerë institucionale, sot, më 6 nëntor 2026, në sallën „1 Tetori” në Prishtinë, diplomoi Gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës, e përbërë nga 397 kadetë të rinj policorë, të cilët tashmë i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.
Ceremonia u nderua me praninë e personaliteteve të larta shtetërore, drejtuesve të institucioneve të sigurisë, menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe familjarëve të kadetëve diplomues dhe familjarëve të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.
Në fjalët e tyre të rastit, krerët institucionalë vlerësuan rëndësinë e këtij momenti, duke përgëzuar kadetët për përfundimin me sukses të formimit të tyre profesional dhe duke u uruar mirëseardhje në familjen e madhe policore, me përgjegjësinë për t’i shërbyer ligjit, qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.
Një nga momentet më domethënëse të ceremonisë ishte dhënia e betimit zyrtar, përmes të cilit 397 kadetët e rinj morën përsipër përgjegjësinë e lartë të shërbimit policor. Pas betimit, atyre iu shpërndanë certifikatat e diplomimit, duke shënuar përmbylljen e një etape të rëndësishme të përgatitjes së tyre profesionale dhe fillimin e një kapitulli të ri në shërbim të sigurisë publike.
Në vijim, ju sjellim fjalimin e Ud/zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti.
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Kryeministër i vendit, z. Albin Kurti,
I nderuar Ministër i MPB-së, z. Xhelal Sveçla,
I nderuar Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci,
I nderuar Drejtor i AKI-së, z. Petrit Ajeti,
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit, z. Zejnullah Gashi.
Te nderuar Kabinet Qeveritar
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar eprore dhe kolegë, profesorë dhe instruktorë, të dashur familjarë, mysafirë dhe ju, të diplomuar të gjeneratës 63 të PK-së,
te nderuara Media.
Sot jemi të nderuar me prezencën tuaj,
Është një ditë e veçantë, ditë krenarie, emocioni dhe përgjegjësie. Ditë që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën profesionale e personale.
Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim. Jemi mbledhur për të nderuar përkushtimin, sakrificën, disiplinën dhe vullnetin e një gjenerate që ka zgjedhur rrugë me përgjegjësi të madhe – rrugën e shërbimit ndaj qytetarit dhe vendit.
Rruga deri në këtë ditë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Pas çdo suksesi që festojmë sot qëndrojnë orë të shumta mësimi, ushtrime, sfida, përpjekje dhe momente kur ndoshta lodhja ka qenë e madhe, por vullneti për të vazhduar ka qenë edhe më i madh.
Ju keni kaluar nëpër një proces 6 mujor që ju ka përgatitur profesionalisht dhe personalisht. Keni mësuar se çfarë do të thotë disiplina, bashkëpunimi, respekti, përgjegjësia dhe vendimmarrja në situata të vështira. Keni kuptuar se suksesi nuk matet vetëm me atë që arrijmë për veten tonë, por edhe me ndikimin që kemi në jetën e të tjerëve.
Diploma që merrni sot nuk është vetëm një dokument që dëshmon përfundimin e një trajnimi apo programi arsimor. Ajo është dëshmi e një angazhimi, e një zotimi dhe e një përgjegjësie që tashmë merrni mbi supe tuaja.
Të jesh pjesë e Policisë së Kosovës do të thotë të jesh në shërbim të qytetarit, të jesh i gatshëm të përballesh me sfida dhe të kontribuosh për një shoqëri më të sigurt, më të drejtë dhe më të barabartë.
Uniforma që do të bartni nuk është thjesht një veshje zyrtare. Ajo përfaqëson besimin e qytetarëve, autoritetin e ligjit dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë. Prandaj, mbajeni gjithmonë me dinjitet, nder dhe krenari.
Autoriteti i vërtetë i një polici nuk qëndron vetëm në kompetencat që ia jep ligji, por mbi të gjitha në mënyrën se si ai i trajton çështjet. Respekti fitohet përmes sjelljes, drejtësia dëshmohet përmes veprave dhe besimi ndërtohet përmes shërbimit.
Te jeni të vendosur kur kërkohet vendosmëri, por edhe të matur kur kërkohet veprim. Jini të guximshëm përballë sfidave, por gjithmonë të drejtë në veprimet tuaja. Respektoni ligjin, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e secilit qytetar, pa dallim.
Nga nesër, njohuritë tuaja do të vihen në praktikë. Një fakt qe duhet ta keni me mendje është se: ne çdo situate kur qytetaret ndihen te rrezikuar, apo ne situata te vështira, ju jeni te paret nga te cilët qytetaret do te kërkojnë ndihmë, andaj për këtë, profesioni qe keni zgjedhur aq sa është detyre dhe përgjegjësi, është edhe nder e krenari.
Shërbimi ndaj vendit po ashtu është edhe sakrificë. Deri me sot Policia e Kosovës i ka dhënë 26 dëshmorë te cilët flijuan me të shtrenjtën tyre ne kryerje te detyrës, Lavdi e përjetshme heronjve të Kosovës!
Të dashur familjarë,
Suksesi që festojmë sot është edhe suksesi juaj. Pas çdo të diplomuari që qëndron këtu, qëndron një familje që ka mbështetur, ka inkurajuar dhe ka besuar në të. Qëndrojnë prindër, bashkëshortë, bashkëshorte, fëmijë dhe të dashur tjerë që kanë ndarë me ta shqetësimet, sakrificat dhe gëzimet e këtij rrugëtimi.
Faleminderit për durimin, përkrahjen dhe besimin tuaj. Sot keni arsye të ndiheni krenarë, sepse kontributi juaj është pjesë e këtij suksesi.
Mirënjohje të veçantë meritojnë edhe profesorët, instruktorët dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e përgatitjes së kësaj gjenerate. Përmes dijes, përvojës dhe përkushtimit tuaj ju keni ndihmuar në formimin e profesionistëve të rinj që sot janë të gatshëm të marrin përgjegjësi të rëndësishme.
Të nderuar dhe shumë të respektuar gjenratë e 63 e Policisë së Kosoves
Në fund, dua që nga kjo ditë të merrni me vete tri mesazhe të thjeshta:
• Respektojeni ligjin, sepse ai është themeli i drejtësisë dhe i rendit demokratik.
• Respektojeni qytetarin, sepse ai është arsyeja dhe qëllimi i shërbimit tuaj.
• Respektojeni uniformën, sepse ajo përfaqëson, përgjegjësinë, autoritetin dhe nderin që ju është besuar.
Ju uroj nga zemra suksese në karrierën tuaj profesionale, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë arritje. Uroj që një ditë, kur të shikoni prapa në këtë rrugëtim, të ndiheni krenarë jo vetëm për diplomën që morët sot, por mbi të gjitha për mënyrën se si e keni ushtruar profesionin tuaj.
Urime diplomimi, gjenerata e PK-së!
Qofshi gjithmonë krenaria e familjeve tuaja, dinjiteti i uniformës që bartni dhe shembull i profesionalizmit në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës!
Ju priftë e mbara dhe suksese në çdo hap të detyrës suaj!










