Në një shoqëri të multietnike dhe multi-kulturore në Kosovë, Romët, Ashkalinj dhe Egjiptianët nuk trajtohen si të barabartë nga shteti dhe nga shoqëria e gjerë.
Lidhur më diskriminimin që po iu bëhet këtyre komuniteteve, për Demokracia.com ka folur edhe kryetar i Partisë Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, njëheri ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha.
Berisha ka thënë se këto tri komunitetet kanë mbetur duke u diskriminuar në secilin proces të jetës së tyre.
“Këto komunitete janë mbetur duke u diskriminuar thuajse në secilin proces të jetës, pra është fakt dhe evidente, pra kur niset një nënë e komuniteteve qe do të lind kur niset për në spital, ajo has në padrejtësitë që i ndodhin rrugës për në spital. Kjo rrugë pastaj vazhdohet në shkollë, në punësim, vazhdon në mundësi të tjera që janë, e me një fjale janë të pabarabartë në shoqëri. Këto janë raste që njerëzit nuk i besojnë por fatmirësisht mediat po i zënë këto raste dhe shpesh po ndodhë kur ato po i publikojnë e pastaj po vërtetohen”, ka thënë Berisha.
Ai mes tjerash ka apeluar që RAE të mos përdoret nga mediat.
“Gjatë ditës së djeshme kam diskutuar me kryetarin e AGK-së, Xhemajl Rexha, e kemi diskutuar këtë punë se mediat po i bëjnë gabimet RAE, e duhet të thuhet tri komunitete jo të përdoret ky term”, tha ai.
Deputeti Berisha shtoi se institucionet e Kosovës e kanë obligim ligjor që këto komunitete mos të jenë të ndara e sidomos në aktivitete e përbashkëta.
“Institucionet e kanë obligim ligjor që në secilin rast këto komunitete nuk duhet të jenë të ndara e sidomos në aktivitete e përbashkëta, sikurse ishte rasti i Festës së Abetares, ku normalisht do të duhej të ishin të gjithë të barabartë. Para një muaji kishim rastin në Gjakovë kur i largonin prej restorantit, pastaj në qendrën tregtare i rrihnin, pra në përgjithësi këto komunitete janë duke u trajtuar si komunitete të pavlera, të lidhura me regjimin serb, e shumë dobët po i trajtojnë edhe shoqëria kosovare edhe institucionet e nuk janë të gatshme ti pranojnë si qenie njerëzore në rrethin e tyre”, ka thënë Berisha.
Berisha thotë së në atë festim ishin tri çështje të cilat e bënë komunitetin egjiptian që të mos ndihet mirë, e për këtë çështje, e fajëson edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Ministrja Nagavci me deklarimin e saj ka thënë “në shtator të gjithë fëmijët shqiptar do t’i kenë Abetaret në duart e tyre”, pra thotë shqiptar nuk thotë kosovar për atë nxënës, pra ajo duhej ta dinte se ministrja se aty ka edhe egjiptian, edhe rom, edhe ashkalinj. Është një gabim i pafalshëm për shkak se atë fjalim e ka pasur të shkruar sepse të njëjtin fjalim e ka publikuar në Facebook, atë postim ja ka shkruar dikush, a ata dikush duhet ta dinë se duhet ta njohin mirë shtetin e Kosovës, komunitetet e nuk do të duhej të ndodhte ajo punë. E dyta më mësuesen nga Peja, që po e trajtojnë secili ndryshe-ndryshe, por pamja dhe dëshmitë e fëmijëve të tregojnë mjaftueshëm, rasti i tretë por pozitiv kur një fëmije i komunitetit ashkali që e ka drejtuar programin kurse në Pejë nuk e mban asnjë shkronjë në duar”, ka thënë ai për Demokracia.com.
Ndryshe, ditën e martë në një shkollë fillore në Pejë u kremtua Festa e Abetares, por bashkë me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat e tjera nuk ishin edhe dhjetë nxënës të pakicave, të cilët u ulën të ndarë.
Nxënësit thanë se do donin të ishin më në qendër, derisa mësuesja e tyre Xhylfidane Morina deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi. Po ashtu e njëjta kishte thënë se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve.