Për të diskutuar disponimin në Bruksel dhe në vendet anëtare dhe për të analizuar rrugën e mbetur të Kosovës deri në liberalizimin e vizave, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur sot organizon një bisedë të hapur të titulluar “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.
Gjatë këtij diskutimi gazertarët Gjeraqina Tuhina dhe Augustin Palokaj do të prezantojnë analizën e tyre mbi procesin e liberalizimit të vizave të titulluar “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Finalja e madhe”.
Për të biseduar në këtë temë Fondacioni, ka ftuar edhe, znj. Jeta Tela, Shefe e Kabinetit e Ministrit të Punëve të Brendshme (TBC), z. Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) .
“Janë bërë më shumë se 10 vjet që kur Kosova zyrtarisht filloi dialogun për viza me Komisionin Evropian, e më shumë se katër vjet që kur ky i fundit konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha kriteret. E megjithatë qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit evropianë përveç rusëve dhe bjellorusëve, që nuk gëzojnë liberalizim të vizave me shtetet anëtare të Schengenit. Me 13 tetor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën më në fund u bë pjesë e agjendës së Këshillit të BE kur Presidenca Çeke e BE-së e futi si pikë diskutimi në rendin e dites të takimit të grupit punues për viza. Përkrahja e Presidencës Çeke dhe shteteve anëtare për të futur në agjendë këtë temë që për vite konsiderohej si e ndjeshme, u pa si zhvillim pozitiv. E megjithatë, informatat e para që rodhën nga takimi i mbyllur ishin se Kosova do të përballej me një kushtëzim të ri: implementimin e sistemit ETIAS”, njofton Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.