Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim Drejtorin e ri të Programit të USAID-it për Drejtësi, Garry Ledbetter dhe Artan Hadrin, Specialist i Performancës Gjyqësore.
Shkëmbimi i ideve dhe mundësive të bashkëpunimit me USAID-in në funksion të avancimit të proceseve të ndryshme brenda sistemit prokurorial, veçanërisht në vlerësimin e performancës, rekrutimin, avancimin dhe forcimin e etikës dhe integritetit të prokurorëve dhe stafit administrativ, ngritja e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale si dhe fuqizimi i fushës së komunikimit me publikun, ishin disa nga çështjet me interes, të cilat u trajtuan në takimin e përbashkët ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe Kryesuesit Maloku me Drejtorin Ledbetter.
Ndërkaq, Drejtori i ri i Programit të USAID-it për Drejtësi, shprehu gatishmërinë që të thellojë bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit dhe Këshillin e Prokurorial të Kosovës nëpërmjet aktiviteteve në kuadër të programeve të ndryshme që aktualisht janë duke u zbatuar në Kosovë, si nisma e drejtësisë procedurale që ka për qëllim ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të institucioneve të drejtësisë, forcimin e besimit të publikut në këto institucione dhe në sundimin e ligjit, gjithmonë duke aplikuar një qasje të drejtësisë të përqendruar tek njerëzit.