Grupi Punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Rregullores Nr. 03/2021 për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik (SMIL), i udhëhequr nga Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Visar Krasniqi, ka zhvilluar sot një vizitë pune në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Grupi Punues, i përbërë nga Arben Ismajli, Eset Rama, Nexhat Haziri dhe Besim Kusari, u pritën nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, prokurorja Drenusha Lipovica dhe Administratori Hasan Rukovci.
EkoHigjiena
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i nivelit të zbatimit praktik të Rregullores Nr. 03/2021 nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Gjilan, si dhe mbledhja e të dhënave të nevojshme për hartimin e një raporti me rekomandime konkrete, i cili do t’i paraqitet Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Gjatë diskutimit, Kryesuesi i Grupit Punues, Visar Krasniqi, kërkoi informacione të detajuara lidhur me pengesat eventuale që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit, duke theksuar se çdo proces duhet të evidentohet në SMIL për të garantuar transparencë, efikasitet dhe menaxhim më të mirë institucional. Ai potencoi nevojën për angazhim të shtuar në tejkalimin e sfidave të identifikuara, me qëllim të funksionalizimit të plotë të sistemit elektronik.
Po ashtu, Krasniqi vlerësoi se avancimi i proceseve të punës dhe zbatimi i plotë i sistemit SMIL mbeten të domosdoshme në të gjitha fazat e menaxhimit të lëndëve.
Nga ana e tij, Kryeprokurori Arben Kadriu, potencoi se në prokurorinë tonë nga ndarja e lëndëve e deri në përfundim kur ngritët aktakuza i gjithë procesi shkon përmes sistemit të SMIL-it, dhe se të gjithë prokurorët e përdorin këtë sistem pa asnjë problem. Po ashtu, edhe të gjitha të dhënat nxjerrën përmes sistemit SMIL-it.
Z. Krasniqi theksoi se Grupi Punues synon evidentimin e mangësive në të gjitha prokuroritë e vendit, me qëllim eliminimin e tyre dhe avancimin e mëtejmë të sistemit. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e harmonizimit të regjistrave të SMIL-it me regjistrat fizikë, pasi deri më tani janë evidentuar mospërputhje ndërmjet tyre.
Në përmbyllje, Kryesuesi Krasniqi nënvizoi se zbatimi i plotë i sistemit SMIL është obligim ligjor dhe kërkoi angazhim të shtuar për tejkalimin e pengesave ekzistuese dhe funksionalizimin e plotë të sistemit. Ai gjithashtu njoftoi se çështjet e ngritura gjatë takimit do të kërkohen edhe në formë të shkruar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me qëllim që të përfshihen në mënyrë të saktë dhe specifike në raportin përfundimtar që do t’i dorëzohet Këshillit Prokurorial të Kosovës.

