Distria Krasniqi e ka nisur suksesshëm vitin 2024, duke u stolisur me medaljen e artë në turneun prestigjioz të xhudos, Grand Slam në Paris.
Kampionia olimpike ishte e jashtëzakonshme në Paris, duke e mposhtur në finale të kategorisë deri në 53 kilogramë, britaniken Chelsie Giles, me Ippon.
Distria e cila është e para në ranglistën botërore, nuk pati asnjë problem në meçin final, derisa pa konkurrencë e pa problem, i mbylli të gjitha garat.
Xhudistja nga Peja, po e konfirmon formën e lartë edhe në këtë vit, pasi përmbylli vitin 2023, me shumë medalje e suksese.
28-vjeçarja ishte e dyta në Evropianin për seniore, e dyta në Masters, e dyta në Grand Slamin në Baku, e pesta në Botëror, e para në Grand Slamin në Paris, dhe e treta në Evropianin e Hapur në Prishtinë.
Grand Slami i Parisit është një nga garat më të pëlqyera të Distria Krasniqit. Ajo e ka fituar medaljen e artë në pesë edicionet e fundit, duke u konfirmuar si xhudistja më e suksesshme në Paris.