Sot duke filluar nga ora 15:00, Gjilani dhe Drita do t’i japin zjarr futbollit kosovar, në derbin e qytetit, “El Anamorava”. Skuadrat janë të vendosura ta mposhtin në fushë njëra-tjetrën, njësoj si tifozët në tribuna, të cilët do të “luftojnë” se cilët do të jenë më të zhurmshëm.
Në fund të fundit, derbi i Gjilanit, hijeshia e futbollit kosovar, garanton spektakël dhe emocion.
Gjilani-Drita, një derbi që pritet me kureshtje të jashtëzakonshme nga tifozët jo vetëm nga Gjilani, por në tërë Kosovën.
Ky derbi çon në këmbë tifozët dhe krejt qytetin e Gjilanit. Në derbi e këtyre skuadrave shumë herë janë tubuar deri në 10.000 shikues, kështu pritet të jetë edhe kësaj radhe. Tifozët ‘Intelektualët’ e Dritës dhe ‘Skifterat’ e Gjilanit, premtojnë një spektakël të njëmendtë.
Gjilani është në vendin e dytë me 12 pikë, kurse Drita është në vendin e tretë me 11 pikë dhe këto dy skuadrat gjilanase do të luftojë deri në fund të sezonit për tu shpallur kampion, ku me shpalljen kampion do ti hapen dyert drejt europës. Gjilani-Drita, është sfida më interesante e javës së 7-të në elitën e futbollit kosovarë.