Sot zhvillohen ndeshjet e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës dhe e gjithë vëmendja është te derbi lokal mes Gjilanit dhe Dritës.
Kjo është përballja e dytë mes këtyre skuadrave këtë sezon, pasi ndeshja e parë përfundoi me barazimin 1-1.
Skuadra e Gjilanit, e drejtuar nga Ardian Nuhiu, do të ketë përparësi në këtë përballje, pasi në stadium do të jenë të pranishëm tifozët “Skifterat”. Në anën tjetër, tifozët e Dritës, “Intelektualët,” nuk do të jenë të pranishëm për shkak të mungesës së kushteve në stadiumin ndihmës, ku do të luhet ndeshja. Ky fakt konsiderohet një hendikep i madh për atmosferën e derbit.
Dje për media u prononcuan ndihmëstrajneri i Gjilanit, Muharrem Bajrami dhe trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.
Bajrami u shpreh: “Jemi të vetëdijshëm për ecurinë e rivalit të nesërm dhe potencialin që ka. Ne jemi të bindur për kualitetet tona dhe them me bindje se do të performojmë pozitivisht për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje.”
Ndërkohë, Ramadani tha: “Nesër na pret derbi i qytetit, që gjithmonë kanë qenë i vështirë, janë dhe do të jenë të vështirë. Për fat të keq, mungesa e tifozëve të të dyja taboreve ia humb shijen derbit. Derbi duhet të luhet brenda fushës, por edhe në tribuna.”
Ndeshja do të luhet sot, duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin me bar sintetik në Gjilan./radiostar/