Erdhi si ndihmës i Shpëtim Duros te Drita, por pak kush e mendonte se ai do të mbetej në histori të klubit gjilanas.
Fjala është për trajnerin shkupjan, më të mirin e vitit që lamë pas, Ardian Nuhiun.
I edukuar, pak fjalë e shumë punë, kështu e përshkruajnë të gjithë drejtuesit, tifozët, por edhe qytetarët e Gjilanit trajnerin e Dritës, Nuhiun.
Sot dy vite më parë, Ardian Nuhiu ka marrë drejtimin besimin e klubit për tu bërë trajner i parë i Dritës.
Por ai nuk ka qenë i vetëdijshëm se sot është futur në histori të klubit, pasi asnjëherë më parë asnjë trajner nuk ka pasur jetë më të gjatë në stolin e klubit bardhekaltër.
Shumë fjalë e shumë kritika në drejtim të tij, ‘Nuk është për Dritën’, ‘Nuk është për trajner të parë’, apo ‘Nuk do t’i zgjatë shumë puna’, të gjitha këto ranë poshtë, pasi Nuhiu me përkushtim dhe punë të madhe ia mbylli gojën të gjithëve, pasi arriti ta fitoj titullin e kampionit me Dritën, por edhe të shkoj aq larg në Evropë sa nuk ka arritur asnjë skuadër kosovare, shkruan Gazeta Olle.
Gazeta Olle ka kontaktuar teknikun shkupjan për dy vjetorin te Drita, i cili nuk ka qenë në dijenie që ka thyer një rekord te Drita.
“Nuk jam në dijeni se a ka qenë ndonjë trajner kaq kohë apo jo, por unë personalisht jam shumë i lumtur për këtë gjë”.
“Është kënaqësi të jesh pjesë e kësaj familje, një klub i organizuar dhe profesional. Për një trajner është shumë me rëndësi të gjejë përkrahjen nga udhëheqësit dhe të ketë mbështetjen e tifozëve”, ka deklaruar Nuhiu për Gazetën Olle.
(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)
Modestia e tij është për lakmi, pasi Nuhiu përsëri e qet suksesin e klubit para atij personal.
“Për mua personalisht më shumë kanë rëndësi sukseset se sa ditët e qëndrimit te Drita”.
Krejt në fund ai shpreson që dy vjetorin te klubi i Dritës ta festoj me titullin e dytë me ‘Intelektualët’.
“Uroj që këtë dy vjetor ta kurorëzoj me titullin e dytë te Drita”, tha Nuhiu. /Gazeta Olle/