Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, me veprim konkret për djalin e heroit Afrim Bunjaku, dëshmon respekt të vërtetë për sakrificën kombëtare, ndërsa Qeveria Kurti dhe kandidati Meholli bien në fjalë boshe e akuza politike.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, edhe një herë ka dëshmuar se veprat flasin më shumë se fjalët. Viti i kaluar shënoi një akt të ndjeshëm njerëzor dhe institucional, Idrizi punësoi djalin e heroit Afrim Bunjaku, Jetlum Bunjaku në ndërmarrjen publike lokale “Përparimi”, duke treguar se kujdesi për familjet e atyre që dhanë jetën për Kosovën nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë, por të përkthehet në vepra konkrete. Ky gjest i Idrizit është dëshmi e përkushtimit të tij ndaj familjeve të dëshmorëve dhe heronjve të vendit, veçanërisht ndaj heroit Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në mbrojtje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës.
Ndërkohë, asnjë familjar i Bunjakut nuk është punësuar nga institucionet qendrore të udhëhequra nga Qeveria e Albin Kurtit. Kjo mospërfillje ndaj familjeve të heronjve është bërë tashmë një model i heshtur qeverisës, ku fjalët patriotike zëvendësojnë mungesën e veprave.
Në fakt, jo vetëm familja e Afrim Bunjakut, por as ajo e Enver Zymberit apo të tjera familje kombëtare të Kosovës nuk kanë marrë asnjë mbështetje konkrete nga ekzekutivi qendror. Ky fakt është tregues i qartë i hendekut të madh mes retorikës nacionaliste të pushtetit aktual dhe veprimeve reale në terren.
Në anën tjetër, gjatë fushatës zgjedhore, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, tregoi mungesë serioziteti dhe respekti ndaj figurave më të larta të sakrificës kombëtare, duke ia gabuar publikisht emrin dhe mbiemrin heronjve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi. Një veprim i tillë nuk është thjesht lapsus — është shenjë e papërgatitjes, mungesës së ndjeshmërisë dhe njohjes minimale të historisë së re të vendit që ai synon ta udhëheqë.
Por së fundmi, Meholli ka kaluar në akuza absurde, duke sulmuar kryetarin Idrizi për “bashkëpunim me Listën Serbe”. “Qyteti i Hasan Prishtinës, Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, dy heronjve të sovranitetit, nuk meriton kryetar që bashkëpunon me Listën Serbe që është shkaktare e vrasjeve të këtyre dy policëve”, ka thënë Meholli.
Në vend që të flasë për ide, zhvillim dhe programe për qytetarët, kandidati i Vetëvendosjes ka zgjedhur rrugën e manipulimeve politike, për ta baltosur një njeri që ka dëshmuar me vepra se është në shërbim të të gjithëve, pa dallim etnie apo bindjeje.
Kujtojmë se Idrizi është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili e di më mirë se kushdo çfarë do të thotë sakrificë, dinjitet dhe përkushtim ndaj Atdheut. Si kryetar, ai ka treguar se Vushtrria është qytet i vlerave, i respektit për gjakun e derdhur për liri dhe i vlerësimit për familjet që kanë dhënë më të shtrenjtën për Kosovën.
Në një kohë kur shumë flasin për atdhedashuri, por pak e dëshmojnë atë në praktikë, Ferit Idrizi ka zgjedhur të veprojë me dinjitet, me humanitet dhe me respekt ndaj trashëgimisë së luftës çlirimtare.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në veri të Kosovës derisa ishte në krye të detyrës. Ai u vra nga grupe të armatosura serbe, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Kosovë.