Shkruan: Shemsi Doda
“Djali “Autorë: Florian Zeller
Regjisor: Erson Zymberi
Djali tregon historinë e një adoleshenti, Nicolas, që përballet me një periudhë të vështirë në jetën e tij. Ai është i përfshirë në një situatë komplekse familjare, duke përfshirë prindërit e tij, të cilët janë të divorcuar dhe përpiqen të menaxhojnë marrëdhëniet e tyre pas ndarjes.
Drama eksploron sfidat dhe tensionet që përjetojnë adoleshentët gjatë kalimit në një fazë të re.
Regjisori Erson Zymberi dallon për mënyrën e tij të veçantë të trajtimit të temave serioze me një qasje delikate, duke u fokusuar në psikologjinë e personazheve dhe dinamikat e brendshme të marrëdhënieve.
Marrëdhëniet ndërfamiljare janë të theksuara, duke nxjerrë në pah se si mungesa e komunikimit dhe keqkuptimet mund të çojnë në pasiguri dhe traumë.
Shfaqja merret me pasojat që sjell divorci dhe si kjo ndikon tek individët në një familje qka e arrin në skenë me sukses të plotë me të gjitha elementet si nga ana vizuele e emocionale.
Pas çdo shfaqjeje gjithmonë kam mendime të ndryshme në kokën time, pas shfaqjes së sontme dua të theksoj rëndësinë e zgjedhjes së aktorëve për shfaqje të caktuara, që për mendimin tim është një faktor kyç për suksesin e shfaqjes dhe kjo është veçanërisht e vërtetuar nga përzgjedhja e një aktori të ri (Yzeir Meha) për rolin e djalit, i cili ka luajtur shkëlqyeshëm rolin e tij. Role mbresëlënse kanë bërë edhe aktorët Kushtrim Qerimi e Safete Mustafa, bindëse e me plot potencë eshtë edhe roli i Tringë Hasanit. Florent Salihu ishte në suaza të kërkesave të regjisorit.
Skenografia e Bekim Korqës ka një zgjidhje interesante (një kryq) si symbol i udhëkryqeve jetësore.
Kostumet, Dritat, Muzika ishin në funksion të shfaqjes.
Shfaqja ishte kamertale në skenë me numër të kufizuar të shikuesve që e duartrokitën gjatë shfaqjen.