Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”. Deri tash, kutive të votimit u janë drejtuar mbi 550 mijë qytetarë nga i gjithë vendi.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, DnV ka bërë të ditur se deri në ora 13:00 janë hasur 83 raste të fotografimit të votës në 53 vendvotime.
Poashtu, DnV ka bërë me dije se deri në këtë orë është raportuar për 31 raste që votuesit e kanë bërë publikimin e vendvotimeve.
Ndryshe, sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 550 mijë qytetarë nga i gjithë vendi. Këtë proces zgjedhor janë duke e vëzhguar rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.
Në gjithë Kosovën janë hapur 895 qendra votimi me rreth 2000 vendvotime, derisa numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesen Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.