Për ardhjen e Goran Bregovic në Shqipëri në ‘Festën e Birrës’ në Korçë një reagim së fundmi e bëri edhe reperi i popullarizuar shqiptar, Capital T.
Trim Ademi (emri i vërtetë) tregon se do bëntë hapjen në këtë eveniment, por që e kishte anuluar performancën e tij me të dëgjuar për ardhjen e muzikantit boshnjak.
Ai i bëri thirrje popullit shqiptar që ta bojkotojnë këtë eveniment e po ashtu edhe Bashkisë së Korçës duke shtuar se nuk i takon komunës si institucion shtetëror që është të sjell një këngëtar serb në këtë kohë.
“Përshëndetje të gjithëve, shpresoj që jeni mirë. E ndjeva të rrugës të reagoj për eventin e Festës së Birrës në Korçë për shkak se isha i ftuar të bëj hapjen e atij evenimenti dhe realisht isha shumë i lumtur të jem aty afër njerëzve që e duan muzikën dhe prezencën time aty.
Por kur pashë se një artist serb siç është Goran Bregovic prej të cilit janë inspiruar forcat serbe dhe i kanë kënduar këngët e tij gjatë luftës në Kosovë, atëherë u detyrova të anuloj performancën time.
Ju kërkoj falje të gjithë atyre që ndoshta e kishin shijuar atë moment bashkë me mua aty edhe iu bëj thirrje Bashkisë së Korçës absolutisht ta anulojnë prezencën e tij në Shqipëri për faktin se konflikti Kosovë-Serbi është ende i hapur dhe nuk i takon komunës së Korçës si institucion shtetëror që ta sjell një artist serb në këtë kohë në Shqipëri.
Gjithë ata që dëshirojnë ta dëgjojnë muzikën e tij mund të shkojnë ta dëgjojnë në Serbi”.