Ekspertët e integrimit evropian vlerësojnë se këtë vit mund të merret vendimi për heqjen e vizave për kosovarët me Bashkimin Evropian, mirëpo gjasat e mëdha janë që implementimi të shtyhet prej 1 korrikut 2019, përkatësisht pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të planifikuara për në maj 2019, shkruan “Zëri.info”.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka konsideruar se rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv për Kosovën, pasi Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna për liberalizim.
“Por nuk do të befasohesha në të njëjtën kohë, ndoshta për shkak të përbërjes së BE-së, që të ketë vendim për ta shtyrë këtë proces. Disa vende vazhdojnë ta mbajnë pozicionin kundër pavarësisë së Kosovës dhe është e mundur që kjo të shprehet edhe në rekomandimin pozitiv për viza. Por, megjithatë jam optimist se rekomandimi do të jetë pozitiv”, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është kriteri i fundit për këtë proces, mbetet sfidë edhe pas finalizimit të procesit të vizave.
“Ajo është luftë që do të reflektohet në vazhdimësi, edhe pas liberalizimit. Madje edhe vendet që janë anëtare të BE-së vazhdojnë ta luftojnë korrupsionit sepse është një fenomen që përcillet dhe në këtë fazë mund që ato shtete të cilat nuk janë krejt të gatshme të jenë për liberalizimin ta përdorin këtë argument që gjoja Kosova nuk e ka plotësuar kriterin e luftës kundër korrupsionit”, ka shtuar ai. /Zëri/