Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Rasti është evidentuar në hyrje të Republikës së Kosovës, ku për kontroll është paraqitur një kamion me gjysmërimorkio të zbrazët. Gjatë intervistimit nga zyrtari doganor, drejtuesi i automjetit, shtetas i Republikës së Kosovës, është pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare që duhej të deklaroheshin pranë autoriteteve doganore, por ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur.
Bazuar në analizën e rrezikut, është realizuar një kontroll i përbashkët nga zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Gjatë kontrollit janë zbuluar mjete monetare të fshehura në dollapin e kamionit, si dhe një pjesë e tyre në jastëkun e shoferit.
Si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 30,000 euro, në kartëmonedha prej 20, 50, 100 dhe 200 euro.
Mjetet monetare janë ndaluar përkohësisht dhe rasti është proceduar në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, si dhe legjislacionit në fuqi që rregullon deklarimin e mjeteve monetare gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës. Sipas legjislacionit, çdo person që transporton 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.
Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë me përkushtim legjislacionin doganor dhe atë për kontrollin e mjeteve monetare, duke mbrojtur interesat financiare të Republikës së Kosovës dhe duke parandaluar çdo formë të shkeljeve përmes kontrolleve efektive dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit.

