Doganat e Kosovës kanë pranuar se ka kontrabandë mallrash nga Serbia për në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavilefci, i cili tha se pjesa më e madhe e mallrave të konfiskuara janë nga Serbia.
Zëdhënësi Stavilefci potencoi se Doganat do të vazhdojnë të merren me kontrabandën, e kjo vërehet edhe me shtimin e doganierëve në rrugët e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Mallrat (e kontrabanduara) – pjesa më e madhe është nga Serbia, por ka mallra edhe nga vendet tjera. Ka edhe kundërvajtje, të cilat janë realizuar në pika të tjera kufitare. Sidoqoftë, nuk mund të themi se është një sasi shumë e madhe, por prapëseprapë, Dogana është vigjilente për t’i ndaluar të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave në Republikën e Kosovës”, tha i për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq lidhur me këtë temë, Reporteri.net dje kishte nxjerrë një video ekskluzive ku shiheshin dy kamionë duke kontrabanduar mallra, gjë të cilën në një formë tashmë e ka pranuar edhe Dogana e Kosovës.
Ndërkohë, deri më tani, Dogana ka zbuluar 18 raste të mallrave të dyshimta si kontrabandë, të cilat kanë qenë kryesisht pije alkoolike dhe jo-alkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë e ndryshme.
Ndryshe, përderisa Qeveria në nëntor të vitit 2018 ka vendosur taksën prej 100%, ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ato mallra po gjejnë rrugë tjera për t’u vendosur në raftet e marketeve në Kosovë, e kjo konsiderohet të jetë edhe më e dëmshme./Reporteri.net