Doktor Arben Bislimi, onkolog në Klinikën e Onkologjisë, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për sëmundjen e kacerit në përgjithësi dhe kancerit të gjirit në veçanti, pacientët që trajtohen në këtë klinikë, shifrat e të tjera.
Ai thotë se edhe pse ka përfunduar tetori rozë dhe aktivitetet në kuadër të tij, për ta puna vazhdon njësoj, me 250 brenda ditës që marrin trajtim në Klinikën e Onkologjisë.
Ndërsa, këtë vit janë shënuar 350 raste me kancer të gjirit, që pritet të rritet deri në 400 deri në fund të muajit.
“Është fundi i tetorit por për neve s’përfundon asgjë. Ne vazhdojmë punën 24/7. Ne mbyllim fushatën dhe jo punën. Numri i pacientëve në planin ditor në Klinikën e Onkologjisë është me një mesatare 250 në ditë, sa i përket repartit të kemios, ndërsa në repartin e radiografisë është mbi 100. D.m.th është një frekuencë e madhe e pacientëve brenda ditës. Kurse numri i pacientëve të rinj këtë vit nga të dhënat klinike që i kemi është diku 350 deri në fund të shtatorit, me kancer të gjirit. Në total ky numër pritet ta kalojë shifrën 400 deri në fund të vitit, ndërsa në total pritet ta kalojë numrin 2 mijë”, shprehet ai.
Bislimi tregon se sa i përket muajit tetor raste me kancer të gjirit, mesatarja është 25-30.
Ai ka folur edhe për kushtet që janë në këtë klinikë, e cila tani është në renovim.
“Ne jemi në një fazë të rinovimit të klinikës dhe tash kemi vështirësi në menaxhim në përgjithësi por po e llogarisim si fazë kalimtare dhe arsyeja është se diçka po bëhet mirë. Tash jemi ndarë, reparti është në përdhesen e Klinikës së Ortopedisë dhe pjesën tjetër po funksionojmë këtu në katin e parë sa i përket kemioterapisë. Sa i përket medikamenteve situata ndryshon në mënyrë periodike varësisht si është furnizimi, për momentin nuk jemi edhe keq sipas planifikimit që është bërë”, shton ai për Gazeta Blic.
Onkologu tregon se në 4-5 vitet e fundit ka rritje të numrit të të prekurve me kancer për rreth 15 për qind.
“Këto 4-5 vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të të sëmurëve me sëmundje të kancerit, por në veçanti me kancer të gjirit, d.m.th është një rritje diku 15 për qind”, potencon ai për Gazeta Blic.
Ai ka treguar dhe shkaktarët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes së kancerit.
“Shkaktarët janë të shumtë te sëmundjet malinje në përgjithësi, janë multifaktorial, njëjtë vlen edhe për kancerin e gjirit. Por, nëse e shohim me rajonin, neve na shpëton demografia, na shpëton mesatarja e moshës që e kemi të re në Kosovë por prapë me shifra jemi në mirë se rajoni, për shkak se sëmundjet malinje në përgjithësi e në veçanti kanceri i gjirit, inçidenca e shfaqjes rritet me moshën. Edhe te sëmundjet malinje në përgjithësi rrisku rritet me moshën”, thekson onkologu.
Sa i përket moshës, ai shpjegon se ka edhe mosha të reja por mesatarja është diku afër 50-55.
“Derisa nuk ka rregulla si sëmundje, moshat janë të ndryshme, ka edhe mosha të reja, por mesatarja është diku afër 50-55. Kurse sa i përket rrethanave tjera si sëmundje, te meshkujt dominon kanceri i mushkërive, por sa i përket kancerit të gjirit, meshkujt nuk janë të anashkaluar por përqindja është shumë e vogël, 1 në 100. Në klinikën tonë këtë vit janë evidentuar 4 raste me kancer të gjirit tek meshkujt, të cilët janë duke u trajtuar”, deklaron Arben Bislimi.Në total këtë vit janë prekur me kancer rreth 1700 persona, ndërsa që numri pritet të kalojë shifrën 2 mijë deri në fund të vitit.
“1700 dhe shifra pritet ta kalojë 2 mijëshin në bazë të projeksioneve, në bazë të numrit të pacientëve që po i evidentojmë në planin ditor dhe ato statistikat që i kemi të mbledhura”, shprehet doktori.Ai tregon dhe faktorët që ndikojnë që një person të preket me kancer.
“Ne mund të përmendim faktorët e rriskut, së pari si faktor rrisku, çdo grua veç se është grua është e rrezikuar, vetë konstitucioni anatomik i gjirit ia jep rriskun të jetë eventualisht e atakuar nga kanceri i gjirit, thuhet se çdo e teta grua është e rrezikuar të jetë e atakuar nga kjo sëmundje. Faktori tjetër është faktori moshë, me rritjen e moshës rritet rrisku dhe mundësia për këtë sëmundje. Pastaj faktori gjenetik, diku 13-15 për qind është mundësia e bartjes së faktorëve trashëgues. Këtu është edhe historia familjare, nëse nëna ose motra kanë pasur eventualisht kancer të gjirit, mundësia për shfaqja të sëmundjes ekziston më shumë, pastaj historia personale nëse njëri gji ka pasur kancer, është rrisku për tjetrin gji dhe faktorë tjerë të jashtëm, p.sh radiacioni eventual, eksponimi, ose përmendim obezitetin, faktorë tjerë konsumimi i duhanit, alkooli, etj. Janë një grumbull i faktorëve të rriskut të cilët kanë impakt në zhvillimit eventual të një kanceri të gjirit”, thekson Bislimi.Por, sa janë të efektshme terapitë kundër kancerit dhe në cilat stade.
“Nëse flasim për kemioterapinë është terapi sistematike që aplikohet te pacientët. Te pacientët me kancer të gjirit e në përgjithësi për sëmundjet malinje, planifikimi i terapisë bëhet varësisht nga stadi i sëmundjes. Kemioterapia është një prej tyre që e zbatojmë dhe përfitimi dhe prognoza varet nga stadi në të cilin është sëmundja me të cilën vjen pacienti në klinikë. Stadi i parë dhe stadi i dytë janë stade që përfitimin e kanë të mirë, stadi i parë ka dhe benefit maksimal, kurse stadi i tretë është formë më e avancuar, kurse stadi i katërt është veç sëmundje metastatike. Është e kuptueshme që stadet e avancuara kanë prognozë më të varfër dhe potenciali i trajtimit është më pak i favorshëm, d.m.th krejt kjo varet se në çfarë stadi vjen pacienti”.Mirëpo, sa përmbushen kërkesat për trajtim brenda Onkologjisë dhe a ka nevojë për trajtim jashtë vendit?
Onkologu Bislimi thotë se numri është shumë i vogël i atyre që kërkojnë ndihmë jashtë vendit, për shkak të shërbimeve që bëhen në Onkologji.“Sa i përket klinikës tonë për trajtimin e sëmundjeve malinje, numri i atyre që kanë kërkuar trajtim jashtë vendit ka rënë shumë, është i papërfillshëm, shumë i vogël, për shkak se shërbimet që i japim ne në klinikë i mbulojnë trajtimet e të sëmurëve malinje. Kemi avancime në shërbimet e radioterapisë me teknikën e re që është implementuar dhe teknikat e trajtimit me rreze”, deklaron ai për Gazeta Blic.