U ka rënë në sy shumë ekipeve të njohura, por ndër më të interesuarat është ekipi kampion i Superligës irlandeze e njëzetvjeçari Donat Ahmeti pritet që në janar të jetë në prova në ekipin irlandez.
Ky futbollist me prejardhje nga Kosova, por që ka nënshtetësi të Luksemburgut e të Kosovës, luan në pozitën e mesfushorit, në defensivë, por edhe në pjesën ofensive dhe ambiciet e tij janë që një ditë të veshë petkun e përfaqësueses së Kosovës, ëndërr e cila beson se do t’i realizohet, ngase për të është duke punuar shumë, duke derdhur djersë në stërvitje e duke u përgatitur vazhdimisht.
Donat Ahmeti, futbollist, i gjatë 185 centimetra e i lindur në vitin 2002, aktualisht me vendlindje është në Gravenmacher të Luksemburgut, lojtar që luan me të majtën, aktualisht është anëtar i klubit Gravenmacher dhe teksa flet për vete thekson se ai luan në dy pozita, atë të mesfushorit mbrojtës dhe mesfushorit sulmues. Ahmeti dallohet me vizioninin e tij për lojën, pasimet e sakta, driblimet, shkathtësinë, kontrollin e topit dhe me qëndrueshmërinë. Ai thekson se është i aftë në të tri kërkesat e futbollit modern, të shënojë gola, të krijojë gola, por edhe të ndal kundërshtarin në shënimin e golave.
Donat Ahmeti këtë e ka dëshmuar që nga koha kur kishte nisur hapat e parë në futboll në klubin CSG Grevenmacher në të cilin ka kaluar të gjitha grupmoshat, për të luajtur tani për ekipin e parë, i cili garon në Ligën e Dytë të Luksemburgut. Deri tashti ai ka luajtur 14 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola, sikurse që ka bërë edhe 4 asistime.
“Sigurisht që ëndrra e të gjithë futbollistëve të rinj është të luajnë futboll në nivel të lartë, ndaj ambicia dhe synimi im është të luaj sa më lart dhe do të luftoj deri në fund për të arritur qëllimet e mia”, thekson ky futbollist i spikatur, i cili nuk e fsheh dëshirën që një ditë të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në futboll./kryelajmi.com/.