Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit si kryetar i PDK-së. Lladrovci ka përshëndetur këtë vendim, duke e konsideruar të pritshëm, dhe ka paralajmëruar se kryetari i ardhshëm i partisë do të jetë Bedri Hamza, shkruan Reporteri.net.
“Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi, do përshëndetet, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka shtuar se të qenit lider i PDK-së është një përgjegjësi e madhe. “Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit.
Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës! Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK!”.









