Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur që votuesit nga Kosova, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit, mund të votojnë në qendrat e votimit në katër komuna të Serbisë: Bujanoc, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.
Deri te ky vendim ka ardhur si pasojë e mungesës së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë që zgjedhjet serbe të mbahen edhe në territorin e Kosovës.
Sipas mediumit serb “Danas“, disa anëtarë të KRZ-së kishin vërejtje ndaj këtij vendimi, duke thënë se me këtë shkelen ligjet dhe Kushtetuta e Serbisë.
Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, tha se KRZ nuk është organ që përcakton nëse “është shkelur Kushtetuta (e Serbisë) apo korniza ligjore”.
“Është në dorën tonë që të krijojmë një kornizë ligjore në të cilën do të mbahen zgjedhjet për të gjithë votuesit nga zona e Kosovës”, tha ai.
“Sa i përket informimit të votuesve nga Kosova për kohën dhe vendin e votimit, Posta e Serbisë e mori atë obligim me përfundimin e Qeverisë dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë u bashkua në një vend“, tha ai.