Dorëzohet interpelanca për korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë në Republikën e Kosovës
Sot grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës kërkesën për interpelancë ndaj Kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.
Në shtatorin e vitit 2017, Bashkimi Evropian, ka angazhuar tre ekspertë dhe atë Maurizio Varanese, Theo Byl dhe Camelia Bogdan, për të vlerësuar kapacitetin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Të njëjtit para disa ditëve, kanë dorëzuar raportin tek udhëheqësit e disa institucioneve të drejtësisë duke përfshirë edhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane.
Nga vlerësimi që është bërë përmes analizës së rasteve që janë trajtuar gjatë fazës së hetimit, përndjekjes dhe gjykimit, deri në aktvendimin e plotfuqishëm dhe pas disa takimeve të zhvilluara me krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë, ekspertët kanë konstatuar se sistemi i drejtësisë ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për ne është e qartë se korrupsioni i nivelit të lartë ku përfshihen dhe zyrtarë të lartë në institucionet e Kosovës, përfshirë qeverinë, ndërmarrjet publike dhe agjencitë e institucionet e pavarura ka mbërritur nivele alarmante dhe përbën rast shembullor të kapjes së shtetit.
Ne presim që Kryesia e Kuvendit ta caktojë pa vonesë mbajtjen e kësaj interpelance.