Izraeli është vendi i parë në botë që ka nisur aplikimin e tre vaksinave anti-Covid dhe, me sa duket, do të pasohet edhe nga shtete të tjera.
Qeveria gjermane miratoi injektimin e dozës përforcuese të imunitetit, si masë kundër rrezikut të variantit ‘Delta’.
Të gjithë personat që kanë marrë dy dozat e vaksinave Pfizer, Moderna e AstraZeneca si dhe atë të vaksinës njëdozëshe ‘Johnson end Johnson’ mund të marrin një tjetër dozë vaksine, duke nisur që nga shtatori.
Sipas ministrisë gjermane të shëndetësisë, doza përforcuese synon rritjen e nivelit të anti-trupave që bien me kalimin e muajve, për ta mbajtur sistemin imunitar në alarm ndaj mutacionit të ashpër indian, që përhapet më lehtësisht se të gjitha variantet e tjera, përfshirë edhe atë fillestarin.
Lista e vendeve që kanë vendosur injektimin e dozës përforcuese po zgjerohet.
Izraeli është vendi i parë në botë që nisi të dielën imunizimin e popullsisë me dozën e tretë, duke filluar nga moshat 60 vjeç e sipër. Mes vendeve të kontinentit, Britania e Madhe ka në plan që fushatën e dozës së tretë ta nisë më 6 shtator.
Shtimi i të prekurve me variantin ‘Delta’ detyroi zyrtarët në Moskë, vatrën më të madhe, të injektojnë dozat e treta për të gjithë personat e imunizuar 6 muaj më parë. Vende të tjera si Turqia, Greqia, Franca, Italia e Spanja janë pranë këtij hapi. Plani është që edhe në Shtetet e Bashkuara të nisë injektimi i dozës përforcuese gjatë shtatorit.