Dr. Ali Devaja, kirurg i përgjithshëm dhe abdominal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po zhvillon një trajnim njëmujor të avancuar në Prof. Dr. Cemal Taşçıoğlu Research and Education Hospital në Stamboll, me fokus në kirurgjinë gastrointestinale dhe kolorektale onkologjike laparoskopike. Trajnimi po mbahet nën mentorimin e disa prej emrave më të njohur të kirurgjisë turke, përfshirë Prof. Dr. Cemal Ulusoy, Prof. Dr. Hakan Güven, Prof. Dr. Ali Alemdar dhe Dr. Fazıl Sağlam, si dhe ekipeve të tjera të specializuara të këtij institucioni të njohur.
Gjatë këtij programi profesional, Dr. Devaja po aftësohet në teknikat më të avancuara të kirurgjisë minimale invazive, duke përfshirë gastrektomitë onkologjike, rezeksionet kolorektale (LAR, ULAR, AR), diseksionet limfatike D2/D3 dhe stadifikimin onkologjik. Ky trajnim ka për qëllim që njohuritë dhe përvojat e përvetësuara gjatë qëndrimit në Stamboll të aplikohen në sistemin shëndetësor të Kosovës, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve kirurgjikale për pacientët në QKUK dhe duke kontribuar në avancimin e kirurgjisë moderne në vend.
“Jam mirënjohës për këtë mundësi të jashtëzakonshme profesionale dhe akademike. Njohuritë dhe përvojat që po përvetësoj këtu do t’i vë në shërbim të pacientëve në Kosovë,” ka deklaruar Dr. Ali Devaja.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi është arritur edhe marrëveshja që ekspertë nga Prof. Dr. Cemal Taşçıoğlu Research and Education Hospital të vizitojnë QKUK-në në të ardhmen, me synim forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin profesional dhe avancimin e kirurgjisë laparoskopike dhe onkologjike në Kosovë./Radio Star/










