Në prag të garës për kryetar të komunës, kandidatura e Arbër Ismajlit ka marrë mbështetje publike nga figura të njohura të jetës arsimore e qytetare, ndër ta edhe Dr. Besim Guda, një emër i respektuar në komunitet dhe ish-bashkëpunëtor i babait të Arbërit në kohët e vështira të arsimit paralel gjatë okupimit serb.
Në një mesazh të ngrohtë dhe personal, Dr. Guda ka ndarë kujtime dhe vlerësime për rrugëtimin e familjes Ismajli, duke e cilësuar Arbërin si një kandidat që vjen me integritet, përulësi dhe vullnet për të shërbyer.
Mesazhi i plotë i Dr. Besim Guda:
“Arbër Ismajli – Biri i një idealisti që na bashkon”
Ka momente në jetë që sjellin më shumë se një kandidaturë – sjellin kujtime, emocione dhe vlera që nuk i zbeh koha. Sot dua të flas me zemër për Arbër Ismajlin, një mik e një djalë i rritur me frymën e përkushtimit dhe sakrificës, i cili po kandidon për kryetar të komunës sonë.
Arbëri nuk është vetëm një emër në një fletë votimi. Ai është biri i një njeriu me të cilin pata privilegjin të punoj në arsim, në kohët më të errëta të okupimit serb. Ato ishin vite kur nuk kishim asgjë përveç guximit dhe dashurisë për dijen. Me prindin e tij ndamë klasë, fjalë, por mbi të gjitha një betim të heshtur – se do t’i qëndronim arsimit dhe brezave tanë edhe kur çdo gjë tjetër na mohohej.
Dhe sot, kur shoh Arbërin që del para njerëzve me integritet, përulësi dhe vizion, kuptoj se ajo frymë nuk ka humbur. Përkundrazi – është rritur, është pjekur dhe po vjen të shërbejë. Arbëri e njeh rrugën që kemi kaluar si popull, e ndien barrën e përgjegjësisë dhe ka vullnetin të punojë për të gjithë, me duar të pastra dhe zemër të hapur.
Ai përfaqëson një brez që nuk kërkon pushtet për vete, por për t’i dhënë forcë zhvillimit, për ta kthyer besimin e njerëzve në institucione, për të ndërtuar një komunë ku të rinjtë shohin të ardhme dhe të moshuarit ndihen të respektuar.
Për të gjitha këto, për kujtimin e asaj kohe të përbashkët dhe për shpresën që sjell sot, unë e mbështes Arbër Ismajlin me bindje të plotë. Jo vetëm se e njoh familjen e tij, por sepse e njoh shpirtin që ai sjell në këtë garë.