Pas një pune të gjatë kërkimore dhe angazhimi profesional, nga shtypshkronja ka dalë libri më i ri i autorëve Dr. sc. Mustafë R. Musa dhe Mr. sc. Jehona M. Musa – Sylejmani, me titull “Avokatia e Pavarur”. Ky është botimi i tetë i autorit, i cili vjen si një analizë e thelluar mbi rolin, funksionimin dhe rëndësinë e avokatisë së pavarur në sistemin juridik modern.
Libri trajton dimensionet teorike dhe praktike të profesionit të avokatit, duke theksuar pavarësinë si themel të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Përmes studimeve, përvojës praktike dhe qasjeve bashkëkohore, autorët sjellin një pasqyrë të qartë dhe profesionale për të gjithë juristët, praktikuesit e drejtësisë dhe publikun e interesuar.
Dr. sc. Mustafë R. Musa u shpreh se ky botim është rezultat i shumë viteve të punës profesionale dhe analizave të vazhdueshme mbi pavarësinë e avokatisë:
“Avokatia e pavarur është zëri i drejtësisë dhe mburoja e të drejtave të qytetarëve.
Pavarësia është forca jonë, drejtësia është qëllimi ynë.Ky libër synon të ofrojë një qasje të thelluar profesionale mbi rolin e avokatit si garant i të drejtave themelore dhe si hallkë e domosdoshme e një sistemi gjyqësor të drejtë e transparent.”
Ndërsa Mr. sc. Jehona M. Musa – Sylejmani shtoi rëndësinë e analizave bashkëkohore dhe rolit që avokatët kanë në zhvillimin e një shoqërie demokratike:
“Ky punim vjen si nevojë për t’i dhënë avokatisë së pavarur vendin e merituar në mekanizmin e drejtësisë. Shpresoj që ky libër të shërbejë si udhërrëfyes profesional për juristët dhe studentët e së drejtës.”










