KQZ ka njoftuar se sonte në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit për mbi 3 mijë fletëvotimet e fundit të mbetura nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ky proces pritet të vulosë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan Insajderi.
Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit po i drejtohet zyrtarisht fundit. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve të arritura nga jashtë vendit.
Bëhet fjalë për mbi 3 mijë fletëvotime të cilat janë sjellë gjatë ditës në Kosovë, pasi janë tërhequr nga kutitë postare në disa qendra të rëndësishme ndërkombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare, fletëvotimet që po numërohen aktualisht vijnë nga këto qytete:
Parisi: 1,962 fletëvotime
Berlini: 633 fletëvotime
Otava: 404 fletëvotime
Podgorica: 125 fletëvotime
Haga: 61 fletëvotime
Ky është grupi i fundit i fletëvotimeve që do t’i nënshtrohet numërimit, duke shënuar kështu përfundimin e plotë të numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të dhënat në platformën zyrtare për rezultatet do të përditësohen në kohë reale sapo të përfundojë ky proces.









