Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në burgun e Gjilanit i cili do të lëshohet për të burgosurit nga Danimarka, drejtori i qendrës dhe stafi menaxhues do të jenë danezë.
Ndërkohë, duke raportuar për marrëveshjen me Danimarkën, ajo tha se oficerët korrektues do të jenë nga Kosova.
“Drejtori i qendrës dhe stafi menaxhues do të jetë danez kurse oficerët korrektues do të jenë nga Kosova. Kemi problem sa i përket gjuhës, jemi duke adresuar sepse secili prej tyre ka të drejtën ta ketë mundësinë në gjuhën që ai njeh, përmes përkthyesve ose ata që njohin gjuhën angleze, jemi duke punuar për detaje të cilat ende si kemi definuar”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
Ministrja poashtu tha se Danimarka i sjell prej atje të burgosurit deri në qendrën korrektuese në Gjilan, transmeton Klankosova.tv.
“Sa i përket se ku ndahen këto fonde, Kosova ka një fond mirëpo këto dedikohen në fondin e Republikës së Kosovës që është në kuadër të buxhetit të shtetit. Ato do të ndahen varësisht prej nevojave që ka Kosova. Jam e interesuar që një shumë e konsiderueshme të shkojë për sundimin e ligjit dhe për shërbimin korrektues të Kosovës”.