Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë në Komunën e Gjilanit, Bajram Isufi kanë vizituar blegtorët e Karadakut, ku për së afërmi kanë parë ecurinë e veprimtarive blegtorale të këtyre fermerëve në këtë zonë.
Zëvendësministri Demelezi së bashku me drejtorin Isufi kanë vizituar vëllezërit Ibrahim dhe Musah Rrustemi, të cilët mbarështojnë rreth 150 dele, 45 dhi dhe 36 lopë e viça, të cilët ishin kthyer nga kthyer nga Zvicra për të zhvilluar veprimtaritë blegtorale, të cilat ata synojnë që t’i zgjerojnë në vitet në vazhdim.
Krahas këtyre blegtorëve, zëvendësministri Demelezi vizitoi edhe familjen e Ramadan Ajeti, të cilët mbarështojnë rreth 55 krerë lopë e viça. Këta blegtorë theksuan se përkrahja e MBPZhR-së, ua ka lehtësuar punën për avancimin e këtyre veprimtarive.
Me këtë rast, zëvendësministri Demelezi shprehi mirënjohje ndaj këtyre fermerëve të zellshëm e punëtorë për punën e tyre me anë të së cilës veprimtari, i shtojnë vlerë prodhimeve vendore.
“Përkrahja e MBPZhR-së nuk do të mungojë asnjëherë për fermerin e vyer dhe se të njëjtit i inkurajojë që të aplikojnë edhe në programet tjera mbështetëse të Ministrisë”, tha zëvendësministri Demelezi.