Së fundmi, Komuna e Gjilanit ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me çështjen e kufirit të zonës kadastrale në lagjen Dardania (Gavran). Ky kufi është përcaktuar gjatë procesit të decentralizimit, të udhëhequr nga qeveritë e kaluara — një proces të cilin Levizja VETËVENDOSJE e ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi.
Si pasojë e këtij procesi, përveç pjesës së lagjes Dardania (Gavran), Komuna e Gjilanit ka humbur në total një territor të konsiderueshëm me sipërfaqe prej 123 km². Konkretisht:
• Komunës së Novobërdës i janë kaluar nëntë zona kadastrale: Parallovë, Makresh i Epërm, Makresh i Ulët, Muzgovë, Dragancë, Strazhë, Kufcë e Epërme, Stanishor dhe Koretishtë, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 94.42 km²;
• Komunës së Parteshit i janë kaluar tri zona kadastrale: Partesh, Budrigë e Poshtme dhe Pasjan, me një sipërfaqe prej 28.67 km².
Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar në adresimin e këtyre shqetësimeve dhe në mbrojtjen e interesit publik, duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi të plotë institucionale.