Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka folur për renovimin e Klinikës së Onkologjisë, për kushtet dhe trajtimin e pacientëve në këtë klinikë, si dhe për stafin e klinikës. Ai theksoi se në klinike brenda ditës trajtohen qindra pacientë.
Kurtishi, ka bërë të ditur se në shërbimin e kimioterapisë dhe të radioterapisë brenda ditës e frekuentojnë afro 500 pacientë.
“Kontrollet brenda gjashtë ose tetë orëve të para në shërbimin e kimioterapisë mesatarisht kemi 250 raste, ndërsa brenda 12 orëve numri i pacientëve arrin deri në 300 raste. Prej tyre pjesa më e madhe marrin shërbime në kimioterapi, që kjo nuk do të thotë të merret në formë intravenoze, por kemi ilaçe që merren përmes gojës dhe në forma të ndryshme apo disa lloje të medikamenteve që ne i japim në lëkurë, etj. Këtu është fjala në shërbimin e Onkologjisë Mjekësore, ndërsa në shërbimin e Radioterapisë brenda ditës kryen trajtimin mbi 120-130 pacientë dhe gati 4 pacientë femra në shërbimin e Brajterapisë, që në klinikë përdoret për trajtim të tumorit në organet gjenitale te femrat dhe nëse i shtohen edhe 100 shërbime të tjera që kryhen në shërbimin e radioterapisë, pra ky repart del të ketë mbi 200 shërbime afërsisht të njëjtë me shërbimin e Onkologjisë Mjekësore, pra brenda ditës, rreth 500 pacientë frekuentojnë klinikën tonë”, theksoi Kurtishi në “RTK Prime”.
Ai vuri në dukje kjo klinikë ka dy dhoma ku hospitalizojnë pacientët, të cilët trajtohen “në mënyrë protokollare, qofshin ato terapi 24 orë, 48 orë, apo terapi ditore- treditore apo pacientët të cilët kanë nevojë të menaxhojnë efektet anësore”.
Drejtori Kurtishi ka theksuar se në Klinikën e Onkologjisë është bërë një transformim radikal në aspektin infrastrukturor, duke bërë që kushtet të jenë shumë më të mira, që ndikon në ritmin më të mirë të punës dhe një komoditet më të madh te pacientët. Ai theksoi se në gusht ose shtator Klinika e Onkologjisë do të jetë me të gjitha kushtet adekuate për trajtimin shumë të sofistikuar të pacientëve.
“Me këto ndryshime, klinika ka mbërri tjetër standard dhe shumë shpejtë transformimet janë në procedurë e sipër me digjitalizim të klinikës. Ne do të kemi qasje shumë më të mirë për pacientët në një rrjedhë të punës shumë më të mirë, më të lehtë dhe më të qasshëm për stafin që punon aty dhe trajtimi do të jetë më adekuatë dhe më i lehtë për pacientët tanë”, tha Kurtishi.
Lidhur me renoivimin e klinikës, Kurtishi bëri të ditur se në reparti i Kimioterapisë është transformuar komplet. Por, sipas tij, ka ngelur të përmirësohet barnatorja e klinikës, që pritet të përfundojë brenda këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm, derisa pjesa tjetër është modifikuar në tërësi.
Kutishi vuri në dukje se së shpejti, Klinika Onkologjike do t’i ketë në dispozicion 100 shtretër ose karrige onkologjike për trajtim ambulator. Kjo, sipas tij, do të ulë kohën e pritje së pacientëve dhe do të rrisë kualitetin e trajtimit të tyre, ngase do të kenë një qasje më të mirë.
Kurtishi ka folur edhe për sistemin e ventilimit të ajrit, që është përmirësuar dukshëm, duke bërë që kjo klinikë t’i plotësojë standardet ndërkombëtare.
Ai bëri të ditur se një nga problemet më thelbësore që ballafaqohet Klinika Onkologjike, ka të bëjë me stafin. Sipas tij, mungesa e infermierëve po vërehet dukshëm në këtë klinikë.
“Disa nga ta kanë shkuar në botën e jashtme”, theksoi ai, duke bërë të ditur se tani për tani kjo klinikë ka 24 infermierë në shërbimin e kimioterapisë dhe 13 teknikë të radioterapisë, që është i pamjaftueshëm për të kryer shërbimet në klinikë.
“Në klinikë janë 13 mjekë të shërbimit të kimioterapisë dhe 6 mjekë në shërbimin e radioterapisë”, tha Kurtishaj. Sipas tij, ky është numër i pamjaftueshëm, sepse numri i pacientëve është në rritje. Ai më tej theksoi se interesimi i specializantëve në këtë drejtim është në rritje.
“Puna që bëhet në Klinikën e Onkologjisë dhe promovimi i kësaj pune ka bërë që specializantët të kenë interesim, ngase është bërë dhe po bëhet punë e mirë dhe inkurajoj që të gjithë mjekët e rinj që janë të interesuar të na bashkohen dhe të kemi një staf të rigjeneruar e të merren në mënyrë aktive në Onkologji, pasi që numri i sëmundjeve malinje në Kosovë është në ngritje dhe nevojat për mjekë do të jenë në rritje dhe në këtë mënyrë të kemi një subspecializim në të ardhmen në këtë klinikë, që të ketë trajtim më të mirë për pacientin”, deklaroi Kurtishi.
Kurtishi bëri të ditur orarin e punë së Klinikës së Onkologjisë, ku shërbimi i Radioterapisë punon në dy ndërrime, e cila ofron shërbime për pacientë në 12 orë, derisa në shërbimin e kimioterapisë orari i punës është 6 orë në ditë, ndërkohë që me digjitalizimin do të ketë secili pacientë mjekun e vet, i cili do ta bëjë orarin e vizitave mjekësore, gjë që do të ndikojë në ngritjen e standardit të shërbimeve për pacientët.