Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka deklaruar se përkundër se gjatë kësaj jave ka pasur një rënie të lehtë të shifrave të të infektuarve me COVID-19, klinikat e QKUK-së dhe repartet e spitaleve ku po trajtohen pacientët me COVID-19, vazhdojnë të jenë të stërmbushura.
Krasniqi tha se edhe më tutje po vazhdon trajtimi i pacientëve me COVID në pesë klinikat e QKUK-së dhe në shtatë Spitalet Regjionale të Kosovës.
“Edhe më tutje gjendja paraqitet e ngarkuar nëpër spitalet dhe klinikat tona. Janë me numër të madh të pacientëve….Edhe pse numri ditëve të fundit është më i vogël, krahasuar me javën e kaluar kur kishim deri në 900 pacientë që merrnin trajtime nëpër spitalet tona, ky numër vazhdon të jetë i lartë dhe klinikat tona janë të stërmbushura me pacientë. Aktualisht në të shtatë spitalet regjionale, kemi pacientë që janë duke u trajtuar. Ndërkohë që në Qendrën Universitare kemi pesë klinika që po trajtojnë: Klinikën Infektive, Klinikën e Mushkërive, objektin e Mjekësisë Sportive, bllokun e Klinikave Internistike, si dhe MIQ COVID-in apo repartin intensive”, tha Krasniqi.
Sipas tij, varianti i ri britanik ka treguar se është më shpejt i përhapur por që numri i pacientëve që janë të shtrirë nuk dallon shumë nga viti i kaluar kur ky variant nuk ka qenë i pranishëm në vendit tonë.
“Nëse krahasojmë numrin e të shtrirëve dhe të spitalizuarve në raport me numrin e atyre që rezultojnë pozitiv nuk ka ndonjë ndryshim të madh krahasuar edhe me vitin e kaluar. Pra, në këtë aspekt nuk është se kemi rritje të numrit të spitalizuarve në raport me ata të cilët rezultojnë pozitiv. Duket se ka një aftësi më të madhe të përhapjes dhe më të shpejt dhe kjo bënë që të kemi rritje të të infektuarve dhe si rezultat të rritet edhe numri i të spitalizuarve. Duhet ditur dhe cekur edhe metodat e parandalimit por edhe trajtimi është njësoj edhe sikur tek varianti i kaluar apo fillestar ta quaj”, u shpreh drejtori i SHSKUK-së.
E duke ditur tashmë se buxheti për listën esenciale është zvogëluar, drejtori i SHSKUK-së, thotë se aktualisht janë mirë të furnizuar me terapi, por shton se edhe tutje vazhdon të mungojnë Remdesivir dhe Favipiraviri të cilët janë barna antiviral.
Krasniqi shton se pret që të rritet buxheti për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në veçanti linjat buxhetore për barna dhe material shpenzues nga lista esenciale.