Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan duke pa nevojën e madhe për parandalimin e prerjes ilegale të pyjeve në bashkëpunim me policinë e Kosovës kanë ndërmarrë aksion disaditorë në parandalimin e prerësve ilegalë.
“Sezoni dimërorë dhe stina e vjeshtës zakonisht është koha kur prerësit ilegalë intensifikojnë prerjen e pyjeve. Duke mare parasysh shtrenjtimin e rrymës dhe çmimet më të volitshme të masës drunore, ka ndikuar që një numër i madh i qytetarëve të orientohen në përdorimin e drunjve për nxehje”, ka thënë drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, Bajram Isufi.
Isufi tha se falë bashkëpunimit dhe asistencës policore në përkrahje të Major Agim Lipovicës-Komandant i Stacionit Policor në Gjilan, gjatë këtyre ditëve nga ora 08:00 deri në ora 24:00 janë kryer një mori aksionesh me asistencën e policisë, pylltarëve dhe teknikëve të pylltarisë.
“Si rezultat i këtyre aksioneve janë konfiskuar traktorë, rimorkio një sasi e konsiderueshme e masës drunore dhe fletëparaqitje gjyqësore si masë ndëshkuese. Aksionet e tilla krijojnë ambient të pasigurt për prerësit ilegalë dhe ndikojnë pozitivisht në parandalimin e prerjes ilegale. Kemi arritur që në masë të madhe të parandalojmë prerjen ilegale përkundër kushteve dhe teknikës së kufizuar që vepron Sektori Pylltarisë”, ka shtuar ai.
“Do vazhdojmë me aksione të tilla me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjen e pyjeve tona si pasuri nacionale, duke ftuar edhe qytetarët në bashkëpunim. Lajmëroni çdo aktivitet të prerjeve ilegale. Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi pozitivisht në çdo kohë”, ka përfunduar drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, Bajram Isufi.