Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku, bashkë me nënkryetaren e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, drejtorin e Kulturës, Kushtrim Zeqiri dhe asamblistët Mimoza Kadriu dhe Riad Elezi, ka pritur sot në ambientet e Kuvendit nxënësit e klasës së tretë, mësueset e tyre dhe drejtorin e shkollës fillore “Muza Zajmi” në Gjilan.
Kryesuesi Sadiku i ka njoftuar nxënësit me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, përbërjen e tij dhe mënyrën si zgjidhen asamblistët, të cilët marrin vendime për të mirën e qytetarëve.
Në emër të shkollës ka folur mësuesja Luljeta Kadriu, e cila tha se qëllimi i vizitës ishte njoftimi i nxënësve organizimin dhe punët që bën qeverisja komunale, përgjegjësitë e Kuvendit dhe adresimin e shqetësimeve të cilët vijnë nga qytetarët dhe që në shkollë mësohen në kuadër të lëndës Shoqëria dhe Mjedisi.
Në emër të kryetarit të Komunës, takimin e përshëndeti nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, e cila i inkurajoi nxënësit që të mësojnë shumë dhe të bëhen pjesë aktive e shoqërisë, duke kërkuar kushte më të mira, ndërkohë që premtoi se do të punojnë shumë në mënyrë që kërkesat e tyre t’i përmbushin.
Në fund nxënësit adresuan shumë pyetje dhe interesime për drejtuesit komunalë.