FC Drita ka afruar në Shkollën e Futbollit ish-futbollistët e tyre, të cilët tashmë ushtrojnë zejen e trajnerit dhe janë të pajisur me licencat përkatëse nga UEFA dhe FIFA, shkruan Gazetasheshi.com.
Ditë më parë Genc Sermaxhaj mori drejtimin e 19 vjeçarëve të Juniorëve, teksa janë zyrtarizuar edhe trajnerët e tjerë të grupmoshave nga 11 vjeçarët.
Kështu te parafatosët trajner është emëruar ish-mesfushori i këtij klubi Mentor Sijarina.
Mentor Sijarina i cili ishte produkt i akademisë së FC Dritës është pajisur me licencat, gjithashtu është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës
Te moshat e 13 vjeçarëve është emëruar trajner Alban Nevzati, ish-mbrojtësi i klubit gjilanas, i cili gjithashtu është produkt i akademisë së FC Dritës.
Nevzati ka qenë lojtar gjithashtu në skuadra si; KF Kosova e Prishtinës dhe KF Gjilani, ndërkohë që fundmi e ushtron zejen e trajnerit, teksa është edhe i diplomuar në programin Master në Edukimin Fizik.
Ardian Latifi është zhvendosur te grupmoshat e 15 vjeçarëve. Mesfushori i njohur gjilanas që po ashtu është produkt i akademisë së Dritës është duke i drejtuar të rinjtë e këtij klubi për disa vite.
Latifi është i pajisur me licencën B të UEFA-s, teksa për herë të parë do ta drejtojë këtë grupmoshë.
Një tjetër mesfushor i njohur është emëruar trajner i moshave te ‘bardhekaltërit’. Fjala është për Visar Sermaxhajn, i cili edhe zyrtarisht ka marrë detyrën e trajnerit të 17 vjeçarëve.
Sermaxhaj, i cili ishte pjesë e shumë klubeve të njohura në vendin tonë ishte trajner te moshat e klubit tash e një vit e gjysmë, teksa për herë të parë merr drejtimin e një grupi të caktuar të futbollistëve.
Nën vëzhgimin e koordinatorit të Shkollës së Futbollit Beqir Rukovci, ish-futbollist i dalluar i këtij klubi, ‘bardhekaltërit’ synojnë që të ndërtojnë njërën ndër akademitë më premtuese në vend.