Pas 10 xhirove të para të këtij gjysmësezoni në edicionin 2026, dy skuadrat nga Gjilani – Drita dhe Gjilani – kanë grumbulluar më së shumti pikë në kampionat, duke dëshmuar formë të lartë dhe qëndrueshmëri mbresëlënëse.
Drita udhëheq Superligën me 25 pikë të tubuara, duke u dalluar për efikasitetin në sulm dhe organizimin solid në mbrojtje. Me një bilanc golash 15:6, skuadra bardhekaltër ka qenë më dominantja në këtë fazë të garës.
Në anën tjetër, Gjilani renditet në pozitën e dytë me 17 pikë, duke konfirmuar një gjysmësezon pozitiv dhe stabilitet në rezultate. Me 13 gola të shënuar dhe 11 të pranuar, skuadra po vazhdon me synimin e qartë për sigurimin e një vendi që dërgon në garat evropiane.
Ajo që bie në sy është fakti se të dyja skuadrat gjilanase jo vetëm që kanë grumbulluar më së shumti pikë në këtë gjysmësezon, por edhe kanë treguar vazhdimësi dhe nivel të lartë loje, duke u shndërruar në protagoniste të kampionatit.
Forma e tyre e mirë e vendos Gjilanin në qendër të futbollit vendor, me Dritën që udhëheq Superligën dhe Gjilanin që synon me vendosmëri daljen në Evropë./Radio Star/

