Janë zhvilluar ndeshjet e planifikuara të Kupës së Kosovës, ku dy skuadrat gjilanase, Drita dhe Gjilani, kanë arritur të sigurojnë kalimin në raundin tjetër të garës.
Gjilani ishte vendas në përballjen kundër Vjosës, takim i cili u zhvillua në stadiumin me bar sintetik në Gjilan. Skuadra vendase arriti të marrë fitore me rezultat 2:1, duke dominuar pjesën më të madhe të lojës dhe duke siguruar një kualifikim të merituar.
Në anën tjetër, Drita ishte mysafire e Besës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ndihmës të skuadrës gjilanase. Bardhekaltrit u treguan bindës, duke triumfuar me rezultat të pastër 3:0 dhe duke vazhduar tutje pa vështirësi.
Me këto fitore, të dy ekipet e qytetit të Gjilanit sigurojnë praninë në fazën e radhës së Kupës së Kosovës, duke rritur ambiciet për të shkuar sa më larg në këtë edicion të garës.










